2012-08-28 14:32:17

Në Pakistan, shtyhet për dy ditë vendimi mbi Rimshën e vogël


U shty për 30 gusht, audienca e Gjykatës së Islamabadit për çështjen e Rimsha Masih, vajzës së krishterë, në burg me akuzën e blasfemisë. Shtyrja ka natyrë procedurore dhe ka të bëjë me dorëzimin e rezultateve të Komisionit mjekësor, që ka vizituar fëmijën. Sipas tij, Rimsha është e mitur, me moshë më të vogël se 14 vjeç dhe me zhvillim mendor sa për një vajzë 8-9 vjeçare. Mbi këtë bazë, avokati i saj mbrojtës i ka kërkuar Gjykatës ta lirojë menjëherë, madje Rimsha as që duhej arrestuar e aq më pak, mbajtur në burg. Sipas ligjit pakistanez, të miturit nuk mund të akuzohen për krime, pasi akoma nuk mund të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre. Zakonisht, ata mbahen në institute të veçanta e jo në burg. Një ndihmës gjykatës duhej të kishte bërë një relacion për Rimshën, për karakterin, edukatën, arsimin, shtresën shoqërore dhe moralitetin e familjes së saj, por edhe kjo kërkesë e ligjit nuk është respektuar.
Policia e arrestoi Rimshën më 16 gusht, nën presionin e qindra radikalëve islamikë, duke e akuzuar se kishte djegur një faqe me fjalë nga Kurani. Mëse 600 familje të zonës, ku banonte Rimsha, në periferi të Islamabadit, janë larguar nga shtëpitë për shkak të kërcënimeve të ekstremistëve. Rreth 100 banorë të krishterë kanë ngritur një kamp në një park të kryeqytetit, ku kanë filluar të ndërtojnë shtëpi druri e madje edhe një kapelë.







All the contents on this site are copyrighted ©.