Mediat e krishtera të Libanit shpresojnë në vizitën e Papës
Edhe dy javë e, Papa Benedikti XVI do të shkojë në Liban, nga 14 deri më 16 shtator.
Udhëtimi, 15 vjet pas atij të të Lumit Gjon Pali II, pritet me shpresë në të gjithë
Lindjen e Mesme. Shqetësimi e dëshira e njerëzve paraqitet gjerëisht në mediat lokale,
sidomos në ato të krishtera. Pyetëm gazetaren e radios së krishterë libaneze “Voix
de la Charité” (Zëri i Dashurisë), Simonë Mubarak: Ne, mediat e krishtera,
transmetojmë programe për jetën e Papës, për mësimet e tij, për udhëtimet e sidomos,
shpjegojmë qëllimin e kësaj vizite. Urojmë që ai të jetë i qartë. Ne besimtarët e
kemi kuptuar rëndësinë e kësaj vizite: fakti që Papa dëshiron të vijë në një çast
kaq të vështirë e të rrezikshëm, fakti që ka zgjedhur tokën tonë për të dorëzuar Nxitjen
Apostolike, është shenjë e vërtetë e Provanisë Hyjnore. Për ne është thirrje dhe këshillë.
Thirrje për të jetuar me shpresë e me fe, pa pasur frikë dhe, këshillë për misionin
tonë. Prania jonë në Lindjen e Mesme është misioni ynë për të qenë dëshmitarë të Krishtit.
Papa na këshillon të jetojmë së bashku, duke respektuar njëri-tjetrin, duke qenë protagonistë
të lirisë e të paqes së vërtetë. E gjithë bota shpreson që kjo vizitë të na sjellë
paqen e shpresën. Duhet thënë se njerëzit në Liban, në Lindjen e Mesme, në vendet
pranë nesh, janë të lodhur e të dëshpëruar. Prandaj, ky shtegtim i Papës është një
rreze drite e kemi shpresë se bota e Kisha do ta kuptojnë më mirë dhimbjen tonë, gjithçka
po jetojmë në këtë moment. Cili është roli i mediave të krishtera në Liban
për dialogun ndërfetar? Mediat e krishtera përhapin një mesazh ungjillor e
dihet se ai është mesazh paqeje. Të gjitha mediat e krishtera punojnë për dialogun
islamo-kristian. Në programet tona marrin pjesë shumë myslimanë, bëjmë emisione të
përbashkëta për të gjetur pikat e bashkimit. Mendoj se është e nevojshme që të kemi
rolin e paqtuesit.