Me 28 gusht kalendari kujton shën Agostinin, ipeshkëv
Kalendari kishtar kujton sot shën Agostinin. Jeta e vepra e tij na mësojnë se Zoti
është përgjigjia e vetme e shqetësimeve tona. Sot pra me 28 gusht kalendari kishtar
përkujton shën Agostinin, ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, autor i shkrimeve të
shumta, është ndër Etërit e Kishës që më së miri ka shpjeguar parimet dhe dogmat e
krishterimit. Jashtëzakonisht të njohura janë Rrëfimet e shën Agostinit, një autobiografi
e veçant në të cilën shenjti afrikan rrëfen përshkimin e mundimshëm e plot vuajtje
drejt kthimit tek Zoti. Njerëzimi ka nevojë ta njohë e ta jetojë realitetin e
Hyjit dashuri; takimi me Të është e vetmja përgjigje për shqetësimet e zemrës njerëzore”:
ky është mësimi i madh që Shën Agostini i la trashëgim njerëzimit. Mendimi i Shën
Agostinit është urë ndërmjet kulturave, edhe sot tejet aktual për mbarë botën.“Lavdia
më e madhe është ta mbytësh luftën me dialog, e jo njerëzit me shpatë, ta mbrosh paqen
me paqe, e jo ta ruash me luftë.” Kështu shkruante Shën Agostini në Letrën e 229-të.
Trinomi agostinian janë e vërteta, dashuria dhe bukuria. Shën Agostini lindi
në Afrikë, në Tagaste të Numidisë, sot Souk-Ahras në Algjeri, më 13 nëntor të vitit
354, në një familje çifligarësh. Nga e ëma, Monika mori edukatë të krishterë,
por pasi lexoi Ciceronin, hyri në rrugën e filozofisë manikeiste. Më 387 shkoi në
Milano, ku njohu Shën Ambrozin. Takimi me këtë ipeshkëv pati rëndësi vendimtare për
kthesën e madhe: Agostini mori nga dora e Ambrozit sakramentin e Pagëzimit. U rikthye
në Afrikë me dëshirën për të themeluar një bashkësi murgare. Pas vdekjes së nënës,
shkoi në Iponë, ku u shugurua meshtar e ipeshkëv. Veprat e tij teologjike, mistike,
filozofike e polemike – pasqyrojnë luftën e rreptë të Shën Agostinit kundër herezive,
me të cilat u ndesh deri sa vdiq, më 28 gusht të vitit 430, në moshën 76 vjeçare. Këto
vepra, ndërmjet të cilave kujtojmë“Rrëfimet”, "Qyteti
i Zotit" e “De vita christiana” , jo vetëm që i dhanë titullin Doktor
i Kishës, por mbeten edhe sot e kësaj dite thellësisht aktuale. I mësoi njeriut se
për të gjetur vetveten, duhet të takohet me Zotin-Dashuri!. Për këtë aktualitet ka
fol shpesh edhe Benedikti XVI, duke i kushtuar Shën Agostinit katër katekizma gjatë
audiencave të përgjithme (janar-shkurt 2008). Papa Ratcinger e quan Shën Agostinin,
model ideal për lidhjen ndërmjet fesë e arsyes, që na lë të kuptojmë se kush nuk
dëshiron t’i afrohet Hyjit, është kundër vetvetes. Ai kërkonte një fe, që të ishte
shprehje e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende të parritur,
nga feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma - por njëkohësisht e bëri të
mos kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia shpjegonin
zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep (dhuron) jetë. Ky kërkim
– shpjegon Benedikti XVI - e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, në sintezën ndërmjet
fesë e arsyes. “Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra
e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë krah për krah. Siç
shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën ‘Contra Academicos”,
fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit”. “Beso për të kuptuar”
e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin pikëarritjen
e Atit të Kishës. “Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por
edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin
e për të besuar”. Harmonia ndërmjet fesë e arsyes – vijon Papa, duke folur
për Shën Agostinin - na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është fare
pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij: “Prania e
Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet e të zbulohet
vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini – por ktheju
tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon se natyra jote
është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet drita e arsyes.
Pikërisht ashtu si thekson ai vetë… në krye të ‘Confessiones’ (Rrëfimet), autobiografia
e tij shpirtërore: ‘Na bëre për vete e zemra jonë mund të gjejë paqe vetëm kur të
pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim nga vevetja”. Papa
Benedikti XVI kujton edhe reflektimet e mëdha të Shën Agostinit për jetën, duke nënvizuar
posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun: “Njeriu është një enigmë
e madhe, është një greminë e thellë, enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë
e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes,
është kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin.
Kështu arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”. “Njeriu
është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë në veprën e
Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot – na kujton Papa Ratcinger-
duke theksuar atë që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është Krishti ai që e shpëton
njeriun, Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë Hyjit. Papa
flet edhe për konceptin e Kishës në vizionin agostinian, që e quan Krishtin krye e
ne, gjymtyrë të Tij: një Korp i vetëm, pra, ‘Populli i Hyjit e shtëpia e Hyjit’. E
kujtojmë se pikërisht kësaj teme i riu Jozef Racinger, në vitin 1953, i kushtoi tezën
e doktoratit në teologji. Ndërsa sipas Papës Vojtila, Agostini i mëson njeriut të
sotëm se shpresa për ta gjetur të vërtetën ekziston.