2012-08-27 17:11:59

Shën Monika. Papa: nuk duhet ta humbasim kurrë guximin përballë zhurmës të së keqes!


“Nuk duhet ta humbasim kurrë guximin, përballë provave, por duhet të vijojmë të bëjmë mirë, edhe kur e mira jonë nuk duket, ndërsa e keqja bën zhurmë”: këto, reflektimet e Benediktit XVI kushtuar Shën Monikës, që u përkujtua sot në liturgjinë e Kishës katolike. Papa i ka kushtuar disa katekizma nënës së Shën Agostinit, shembull e pajtore e të gjitha nënave të krishtera.Duhet të vijojmë të ecim në rrugën e së mirës, të bëjmë gjithnjë mirë, pavarësisht nga vështirësitë e moskuptimet: është mësimi, që nxjerr Papa nga Shën Monika, e cila e ndihmoi të shoqin, pagan, të zbulojë bukurinë e fesë, e derdhi shumë lot, gjithnjë në lutje, për kthimin e të birit, Shën Agostinit, në rrugën e Zotit:
“Monika nuk pushoi kurrë s’u luturi për kthimin e tij në rrugën e Zotit dhe pati ngushëllimin ta shikojë të kthyer, në sa merrte pagëzimin. Zoti i dëgjoi lutjet e kësaj nëne të shenjtë, së cilës ipeshkvi i Iponës i pati thënë: “Nuk është e mundur të humbasë shpirtin i biri i një nëne, që derdhi një lumë lotësh (Engjëlli i Tënzot, 30 gusht 2009).
Përballë rebelimit të të birit, Monika qe e aftë të fitojë mbi zhurmën e së keqes, duke iu kundërvënë me heshtjen e së mirës e duke u bërë, kështu, shembull frymëzues edhe për nënat e sotme:
“Sa vështirësi duhen kapërcyer edhe sot në marrëdhëniet familjare e sa nëna pushtohen nga ankthi për shkak të bijve, që zgjedhin rrugë të shtrembëra. Monika, grua e urtë, e fortë në fe, i fton të mos e humbasin guximin, por të vijojnë me këmbëngulje misionin si bashkëshorte e si nëna, duke besuar plotësisht në ndihmën e Zotit e duke u kapur fort pas lutjes” (Engjëlli i Tënzot, 27 gusht 2006).
Papa kujton edhe bisedën e mirënjohur të Shën Agostinit në Ostia: nënë e bir kanë përballë vetëm detin; mbi kokë, qiellin e, në heshtje të thellë, prekin vetë zemrën e Zotit. Tregojnë, kështu, se kur jemi për rrugë drejt së Vërtetës, duhet të dimë edhe të heshtim e në këtë heshtje të dëgjojmë fjalën e Zotit, që nis e na flet:
“Kjo është gjithë e vërtetë, edhe në kohën tonë: nganjëherë njeriu ka një si farë frike nga heshtja, nga lutja e thellë, nga meditimi për veprimet e veta, nga thellimi në kuptimin e jetës së vet; shpesh parapëlqen të jetojë vetëm çastin kalimtar, duke e gënjyer veten se do t’i sjellë lumturi të përjetshme; parapëlqen të jetojë, sepse i duket më e lehtë, pa menduar fare për të nesërmen, ka frikë ta kërkojë të Vërtetën, ose trembet se e Vërteta mund ta gjejë, ta pushtojë e t’ia ndryshojë fare jetën, si ndodhi me Shën Agostinin”(Audienca e përgjithshme, 25 gusht 2010).
Kujtojmë se reliket e Shën Monikës ruhen në Romë, në Bazilikën e Shën Agostinit. U mbartën nga Ostia në shekullin XV, siç e shpjegon, në mikrofonin tonë, atë Gianfranco Casagrande:

Përgjigje: - Pas kthimit të Shën Agostinit, nënë e bir u nisën nga Milano, për në Ostia Tiberina, prej nga do të udhëtonin nëpër det për në Afrikë. Pikërisht nësa prisnin varkën, Monika u sëmur e vdiq. I biri deshi ta varroste aty, ku i mbylli sytë, gjë që ishte edhe amaneti i saj e fundit, e pikërisht në kishën e Shën Aureas, në Ostia Antica. Pastaj, duke kaluar menjëherë në vitin 1430, kujtojmë se, me nismë të Papës Martini V, këto relike u mbartën nga varri i Ostia Antica e, me një procesion, që kaloi nëpër lumin Tiber, u sollën në Romë, në Kishën e etërve agostinianë, që dikur quhej e Shën Trifonit në Posterula. Pesëdhjetë vjet më pas, kardinali Guillaume d’ Estouteville, për të nderuar meritat e Urdhërit Agostinian, ndërtoi këtu kishën e madhe kushtuar Shën Agostinit, që përfshiu kishën e vogël të Shën Trifonit. Në vitet 1750-1760, pastaj, Vanvitelli, për të nderuar Reliken e Shën Monikës, e vendosi në një sarkofag prej mermeri të gjelbër, shumë të çmuar, nën elterin, që iu kushtua pikërisht asaj, ku vijon të jetë edhe sot e kësaj dite Kapela e Shën Monikës, që vizitohet çdo ditë nga qindra njerëz.

Pyetje: - Vijon të jetë i gjallë kulti i Shenjtores edhe sot e kësaj dite, posaçërisht në Bazilikën e Shën Agostinit në Campo Marzio?

Përgjigje: - Monikës i luten nënat e krishtera; asaj i kushtohet edhe shoqata e Nënave të krishtera, e përhapur në mbarë botën, e posaçërisht, në Amerikë, SHBA e Kanada. Çdo vit na vijnë nga Amerika mijëra letra e të gjitha vendosen pranë varrit: janë letra që kërkojnë ndihmën e Shenjtores, posaçërisht për probleme, që kanë të bëjnë me familjen, sepse Shën Monika, e thamë, është pajtore e nënave. Në letra, kryesisht nënat, i luten për bashkimin e familjeve, për kthimin e fëmijëve në rrugën e Zotit, për çlirimin nga skllavëria e drogës, e seksit, e alkoolizmit. I luten edhe për kthimin e zemrave, për rikthimin në jetën e krishterë dinjitoze, për paqen e pajtimin në gjirin e familjeve.

Pyetje: - Monika gjatë jetës së saj u rrethua nga burra të zorshëm si i shoqi e madje edhe i biri. E megjithatë, ia doli mbanesh të komunikonte me ta në mënyrë të pashoqe. Cili ishte sekreti i saj?

Përgjigje: - Na e tregon vetë Shën Agostini në ‘Konfesionet’, ku pohon se nëna e tij ishte e butë, me karakter të ëmbël e me fe të patundur. Kemi një shprehje të bukur, sintetike, të Shenjtit, që ne sivjet e vumë mbi elterin e Shën Monikës, qindisur mbi një pëlhurë të lashtë të ‘700-tës: “In omnibus caritas”, domethënë: “Dashuri në gjithçka!” Këtë bëri shën Monika e kjo ishte dhe forca e saj, dashuria e krishterë, feja e saj, që është fe e sa e sa grave të krishtera, të cilat vijnë në heshtje, duke mbartur mbi shpirt peshën e martesave të vështira; të burrave, që i tradhtojnë; të bijve, që zgjedhin rrugë të gabuara - pa hequr kurrë dorë nga lutja, duke kërkuar ndërmjetësim e duke u flijuar ditë për ditë pa zhurmë. Zoti nuk mund të mos i dëgjojë lutjet e tyre, ndonëse ndoshta nuk u përgjigjet menjëherë. Po Zoti përgjigjet gjithnjë, kur shikon një grua, që qan e i lutet për shpëtimin e amshuar të familjarëve të vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.