2012-08-27 13:38:46

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: hipokrizia është damka e djallit. Duhet besuar, për të ditur ç’është jeta e pasosur.


Hipokrizia është damka e djallit e duhet të besosh një herë, pastaj edhe të dish: e nënvizoi dje Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos, ku vijon pushimet verore.
Më parë duhet të besosh në Zotin, për të ditur, më pas, ç’është jeta e pasosur, që Krishti na e dhuron, duke u flijuar për ne: ky është mësimi që Jezusi u jep dishepujve të vet, kujtoi Benedikti XVI, pas fjalimit mbajtur në Sinagogën e Kafarnaos, të nesërmen e mrekullisë së shumëzimit të bukëve e të peshqve. Kuptimin e kësaj mrekullie, që kishte kryer, Jezusi e shpjegoi jo për të fituar një fron tokësor, siç pati vërejtur të dielën e kaluar Papa. E, mbasi ky fjalim ngjalli shumë kundërshtime, që nga ai çast, tregon Shën Gjoni Ungjilltar, shumë prej dishepujve nuk e ndoqën më, sepse nuk besuan në fjalët e Jezusit, që thoshte: “Unë jam buka e gjallë e zbritur nga qielli, kush ha korpin tim e pi gjakun tim, do të jetojë në amshim:
“Ky zbulim mbetej për ta krejt i pakapshëm, sepse mendja e tyre kapte vetëm kuptimin material, ndërsa në këto fjalë parakumtohej misteri i Pashkëve të Krishtit, në të cilin do të dhuronte vetveten, për shëlbimin e botës”.
Shumëkush nuk e kuptoi këtë mister shëlbimi. Qysh atëherë shumë prej dishepujve të tij u shmangën e nuk shkuan më me Të. I pyeti, atëherë, Jezusi Apostujt: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?”. E Pjetri u gjegj: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur. Ne e besojmë dhe e dimë se ti je shenjti i Hyjit”. Kështu u shpreh Papa, që citoi, më pas, mendimin e Shën Agostinit për këtë fragment ungjillor:
Nuk thotë: e dimë dhe e besojmë, por e besojmë dhe e dimë. Besuam, për të ditur; në se do të kishim dashur të dimë më parë, e pastaj të besojmë, nuk do të kishim arritur as të dimë e as të besojmë”.
Po ne, çfarë besojmë e ç’gjë të re mësojmë? Besojmë e mësojmë se Krishti është Biri i Hyjit, se është vetë jeta e pasosur e se në Korpin e Gjakun e vet, na dhuron vetveten. Kështu u shpreh Shën Agostini, cituar nga Papa, në një nga homelitë, drejtuar besimtarëve të vet.
Veç tjerash, Jezusi e dinte mirëfilli se ndërmjet dymbëdhjetë apostujve, ishte një, që nuk besonte: Juda! Po të qe i ndershëm, do të ishte larguar së bashku me të tjerët:
"Po ai ndenji me Jezusin. Ndenji jo për fe, as për dashuri, por me ndjetin e fshehtë për t’u hakmarrë kundër Mësuesit. E kjo, nga që Juda mendote se Jezusi e kishte tradhtuar; e, prej këndej, vendosi që edhe ai ta tradhtonte”.
Tradhti për tradhti: duhet kujtuar se Juda ishte zelot e dëshironte një Mesi ngadhënjimtar, një prijës të pathyeshëm, që t’i printe kryengritjes kundër romakëve. Po Jezusi i kishte zhgënjyer shpresat e tij:
“Problemi është se Juda nuk shkoi, e faji i tij më i rëndë ishte hipokrizia, damkë e djallit. Prandaj Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: njëri nga ju është djall”.
Deri ndërmjet të Dymbëdhjetëve, kishte vënë vulën e vet vetë djalli, duke e shtyrë njeriun, që fshihej nën maskën e dishepullit, të kthehej në simbol të hipokrizisë, të hakmarrjes, të tradhtisë e të vetëdënimit. Ta lusim, prandaj, Virgjërën Mari, të na ndihmojë të besojmë në Krishtin, si Shën Pjetri, e të jemi gjithnjë të sinqertë me Të, larg çdo hipokrizie.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, në përshëndetjet përfundimtare drejtuar besimtarëve, Papa kujtoi posaçërisht ipeshkvijtë polakë dhe shtegtarët e mbledhur në Jasna Gora, si dhe rregulltaret e Fytyrës Hyjnore, me rastin e Kapitullit të tyre të përgjithshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.