2012-08-24 17:09:30

Teologu Atë Carbajosa: arsyeja është e fortë, kur nuk mbyllet në idelogji.


“Edukim, identitet, dialog” ishte tema e njërit nga takimet e shumta, mbajtur këto ditë në Mitingun e Riminit. Në takim foli edhe atë Ignacio Carbajosa, pedagog i Besëlidhjes së Vjetër në fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit të Shën Damazit, në Madrid. Për të hyrë më mirë në pafundësinë e Zbulesës, atë Ignacio nënvizoi figurën e Abrahamit, në qendër të reflektimit të tij.
Përgjigje: - Zemra e fjalës sime niset nga situata e kulturës moderne, që flet praktikisht për zbulesën: e kam fjalën për fe, të cilat nisin nga një zbulesë, që nuk ka të bëjë fare me arsyen, madje në zanafillë të dhunës është pikërisht ndeshja ndërmjet një zbulese e tjetrës. Me që zbulesa nuk niset nga arsyeja, por është diçka e treguar, atëherë kemi të bëjmë me një kontrast, që lind dhunën. Dhuna lind, kur një zbulesë i kundërvihet tjetrës. Vjen, pastaj, kultura moderne, që këmbëngul se pika ku takohen uniteti e dialogu është pikërisht arsyeja, jo feja e na fton ta lëmë mënjanë fenë. Ndërsa unë, duke ndjekur këtë udhë, që është edhe biblike, u përpoqa të dëshmoj se në histori figura e Abrahamit, e përbashkët për krishterimin, hebraizmin e islamin, që niset nga zbulesa, e zgjeroi arsyen, e la pas idhujtarinë, për të ecur kah një Zot i vetëm, që krijoi Qiell e Tokë, gjë për të cilën ngul këmbë edhe Benedikti XVI. Është e pashoqe shembëlltyra historike, që bëri ky Papë. Në iluminizëm u duk sikur, më në fund, feja u la mënjanë e arsyeja nisi të sundonte, si i vetmi kriter. Por pas dy shekujsh, të karakterizuar nga një arsye e ligshtë, kjo që kemi sot, vjen një Papë, që fton të zgjerohet pikërisht arsyeja. Prej këndej, shihet qartë se feja ka qenë gjithnjë faktor vendimtar për t’i kujtuar njerëzimit se arsyeja nuk duhet lënë mënjanë, por duhet zgjeruar. Për këtë bën thirrje Benedikti XVI.

Pyetje: - Ju pohuat se ngjarja e madhe e Zbulesës së Zotit në histori e vë Abrahamin në kushte, në të cilat duhet ta përdorë arsyen me të gjithë forcën e saj. Kjo dokumentohet nga tri fetë kryesore: krishterimi, hebraizmi e islami. Në ç’kuptim thirrja e Abrahamit mund ta zgjerojë arsyen e njeriut, ta nxitë të shikojë realitetin në tërësi e jo të copëzuar, siç dëshiron relativizmi?

Përgjigje: - Kjo lidhet shumë me temën e Mitingut: natyra e njeriut në lidhje me pafundësinë. Në se nuk do të ishte kjo pikë referimi, mbi të cilën ngul këmbë Papa, në se nuk do të ishte, pra, kjo pikë, që ka të bëjë me amshimin, i cili u bë histori e nisi edhe dialogun me njeriun, është tepër foshnjore – e historia e këtij shekulli e tregon më së miri - të mendosh se arsyeja mund të qëndrojë në këmbë vetvetiu. Jo, arsyeja e vetme – e pamë në vitet ‘900 - përfundon në dhunë, sepse e shikon në mënyrë të pjesshme realitetin; përfundon në detin e pozitivizmit, në të cilin njeriu fundet, mbytet.

Pyetje: - Është kaq e vërtetë, sa idelogjitë e ‘900-sës, që frymëzuan masakrimin e miliona njerëzve, si komunizmi e nazizmi, nuk lindën, sigurisht, nga lidhja me zbulesën, por me një tip arsyeje, që përpiqet të zërë vendin e Zotit....

Përgjigje: - Po shtojmë – gjë që mund të ngjallë polemika - se kjo ndodh edhe me mungesën e fesë në Evropë, me dëbimin e faktorit fetar nga arsyeja. Arsyeja, e mbetur vetëm, çmendet e përfundon në një ideologji, që është vërtet - mund ta themi - e paarsyeshme. Arsye e mosarsyes. E kjo është arsyeja e nazizmit edhe e komunizmit.

Pyetje: - Dëshironi të shtoni gjë tjetër? Për shembull, ç’mbresa ju lanë diskutimet e Alon Goshen Gottstein, drejtor i Elijah Interfaith Institut dhe i Abdel-Fattah Hassan, pedagod i letërsisë italiane në Universitetin Ain Shams të Kairos?
Përgjigje: - Më la mbresa të thella dialogu, që patëm në sallonet e vogla të Mitingut, Më prek fakti se kur dikush takohet me njerëz, ideologjia nga niset secili zbehet, sepse ke përballë një fytyrë, e prej këndej, nuk e ke aq të lehtë të jesh ideologjik. Në këtë kuptim profesor Abdel-Fattah tha se fjala Miting, takim, është fjalë magjike, sepse kur ti takohesh me njerëz, nuk e ke më aq të lehtë të thuash “ kjo është kështu” e “kjo tjetra, ashtu”, por ke para teje njeriun: e kështu dialogu mund të bëhet më i thjeshtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.