2012-08-24 19:09:12

Rruzarja e litanitë: historia


Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, mbajtur në Kastel Gandolfo, kushtuar Zojës Mbretëreshë, Benedikti XVI kujtoi edhe Rruzaren e litanitë, me të cilat përfundon. Me to, prej shekujsh, Patriarkët e Apostujt, Shenjtorët e familjet iu drejtuan Marisë, në lutje.
Rruzarja (nga latinishtja rosarium, rosaio), nisi të fitonte kuptim fetar duke filluar nga shekulli XIII. Është fjala për lutje, të cilat simbolikisht formojnë një kurorë trëndafilash, lule që të kujton vetë Zojën e Bekuar. Lutjet kanë karakter devocional, kundrues, tipik për ritin latin të Kishës katolike.
Zanafilla e Rruzares duhet kërkuar në mesjetën e vonë. U përhap me shpejtësi, falë Bashkëvëllazërive të Shenjtes Rruzare, themeluar nga Pjetri prej Verone, shenjt i Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë. Me të fillon edhe tradita, sipas së cilës Lutja lindi pasi Virgjëra Mari iu duk Shën Dedës, themelues i Urdhërit të Domenikanëve dhe ia dorëzoi me dorë të vet Rruzaren.
U miratua, në emër të Papës, nga kardinali Aleksandër Nani Malatesta, legat papnor e ipeshkëv i Forlì. Me që nuk është element i liturgjisë së Kishës katolike, praktika pësoi shumë ndryshime në shekuj, me lindjen e disa varianteve.
Lutja, me pesë shenja, me dhjetë Falemi Mari, paraprihet nga misteret e jetës së Jezusit a të Marisë. Numri llogaritet duke kaluar gishtat në rruazat e Rruzares.
Misteret janë ato të Gazmendit (e hënë, e shtunë), të Mundimit (e marte, e premte), të Lumnisë (e mërkurë, e dielë) e të Dritës, shtuar nga Gjon Pali II me letrën apostolike Rosarium Virginis.

Rruzarja, siç kujtoi Papa, përfundon me litanitë, formë lutjeje e fesë së krishterë, bazuar mbi një sërë pohimesh (lavdërimi ose kërkesash). U prin një meshtar, diakon ose këngëtar, ndërsa bashkësia përgjigjet.
Si formë e lutjes, lindi në Antioki, në shekullin IV dhe u përhap gradualisht më parë në Kishat Lindore e më pas, në ato Perëndimore.
Litanitë praktikohen si në Kishën katolike, ashtu edhe në atë ortodokse e anglikane.
Më të gjatat janë ato të Shenjtorëve, pasuar nga Litanitë lauretane, dmth të Zojës dhe Litanitë e Zemrës së Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.