2012-08-24 18:19:27

Papa në Liban: Imzot Masri: vizitë e rëndësishme, që inkurajon të krishterët të bashkëjetojnë me myslimanët.


Megjithë atmosferën e tensionit në rritje, Libani vijon të përgatitet për vizitën e Papës, që do të jetë në këtë vend të trazuar nga 14 deri më 16 shtator. Për shpresat e bashkësisë së krishterë libaneze, të dëgjojmë imzotin George Masri, ekonom i përgjithshëm i Patriarkanës siro-katolike në Liban:

Përgjigje: - Presim shumë nga vizita e Atit të Shenjtë, sepse është ngjarje, që ngjall shpresë për mbarë Kishën, posaçërisht për ne, siro-katolikët, që jemi pakicë dhe e dëshmojmë fenë tonë me gjak. Jemi Kishë martirësh, por njëkohësisht edhe pakicë, që jeton me shpresë e besim në Jezu Krishtin.

Pyetje: - Ç’ndikim mund të ketë vizita e Papës mbi dialogun islamo-kristian në një zonë, ku të krishterët janë pakicë?

Përgjigje: - Është shumë e rëndësishme, vizita e Papës në Lindjen e Mesme, posaçërisht në një vend të vogël, si Libani. Ati i Shenjtë na jep shpresë, e edhe guxim për të jetuar me fqinjët tanë myslimanë, për t’i prirë dialogut të jetës së përditshme, sepse dialogu dogmatik nuk është aspak i lehtë; gjithsesi po bashkëjetojmë me popullsinë myslimane. Shpresojmë shumë në vizitën e Atit të Shenjtë e edhe po përgatitemi, të krishterë e myslimanë, për këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Shpresojmë se dialogu ndërmjet nesh e vëllezërve myslimanë do të mbetet dialog i bashkëjetesës së vërtetë.

Pyetje: - Si mund të na i përshkruani zhvillimet e fundit në Liban, pasojë e tensioneve politike? Ç’ ndikim mund të kenë mbi vizitën e Atit të Shenjtë?

Përgjigje: - Për fat të keq, po i jetojmë këto ngjarje, por sigurisht nuk e cënojnë vizitën e Atit të Shenjtë, sepse kjo vizitë i jep shpresë shumicës së popullsisë libaneze dhe gjithë të krishterëve të Lindjes së Mesme: ne shpresojmë që pranvera arabe të jetë vërtet pranverë. Dialogu i mirëfilltë, që ne duhet të bëjmë me vëllezërit tanë myslimanë, është ai që lidhet me barazinë e të gjithë qytetarëve mbi bazën e nënshtetësisë e jo të përkatësisë fetare: jemi të gjithë Bij të Zotit, myslimanë e të krishterë. Shpresojmë se edhe perëndimi do ta ndihmojë këtë zonë, që të ndërtojë demokracinë e vërtetë. Besimi mysliman parashikon një regjim teokratik, jo demokratik; në se dëshrojmë të kemi dialog të vërtetë me myslimanët, duhet ta bëjmë këtë mbi bazën e vlerave qytetare e jo mbi kritere fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.