2012-08-24 12:43:55

Leksionet e Nënë Terezës: “Rregulla e Misionarëve shekullarë të bamirësisë”


Leksioni i pestë që na jep Nënë Tereza ka të bëjë me Misionarët shekullarë të bamirësisë, familje e themeluar prej së Lumes. Është lëvizje ndërkombëtare e laikatit, në të cilën mund të aktivizohen njerëz të martuar ose beqarë, që jetojnë sipas frymës dhe karizmës së familjes së madhe të Misionarëve dhe Misionareve të Bamirësisë. Bëjnë kushtet private të pastrisë (edhe bashkëshortore), të varfërisë, të dëgjesës, si dhe kushtin e katërt për t’u shërbyer falas e me gjithë zemër të varfërve më të varfër, duke nisur nga anëtarët e familjes së vet.
Më 16 prill 1984, katër laikë bënë privatisht kushtet në prani të Nënë Terezës, në kapelën e Misionarëve të Bamirësisë, Vëllezërve kundrues, në Romë. Qenë përgatitur për disa vjet me radhë për të jetuar në lutje, pendesë e vepra mëshire e kishin studiuar dy vjet dokumentin “Familiaris consortio”.
Lëvizja u miratua më 25 shkurt 1987 nga dioqeza e Romës. Për hir të Zotit, u rrit me shpejtësi të madhe e u përhap në disa vende të Evropës, të Amerikës qëndrore, asaj të veriut e të jugut,
Statuti i saj u përkthye në më se 15 gjuhë të botës.
Në leksionin e pestë që na jep Nënë Tereza, mësojmë të bëjmë gjëra të zakonshme, me një dashuri të jashtëzakonshme, për lumturinë më të madhe të Zotit. Të jetojmë me lutje, pendesë e shërbim, duke u dalluar mes njerëzve për thjeshtësi, përvujtëri, praktikim të përditshëm të mësimeve të Ungjillit e, sidomos, duke e dashur Jezusin në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të jetojmë në mënyrë që të ndjehet prania jonë si njerëz të kushtuar, në zemër të botës. Ta duam Jezusin e t’i shërbejmë, duke parë fytyrën e Tij në fytyrat e shpërfytyruara nga mjerimi të të varfërve. Kur kemi mundësi, t’i ndihmojmë edhe materialisht ata, që kanë nevojë. Të përkrahim me të gjitha mundësitë veprimtarinë e misionarëve të bamirësisë: kur s’kemi ç’të japim tjetër, të dhurojmë sadopak nga koha jonë e lirë. Ta pranojmë me gëzim vuajtjen, duke e shikuar si flije e bërë me dashuri, besim e gëzim për Zotin.
“Misionarët e mi të dashur shekullarë të bamirësisë, u shkruante Nënë Tereza anëtarëve të rinj të familjes së saj, ruajeni gjithnjë në zemër gëzimin, që buron nga dashuria e Krishtit. E mos e mbani vetëm për vete: dhurojani të gjithë atyre, që takoni në udhët e jetës. Bëni një premtim: ‘Dua, me bekimin e Zotit, të jem shenjt!’. Kjo do t’ju ndihmojë të shuani etjen e Krishtit për shpirtrat.







All the contents on this site are copyrighted ©.