Festa e shën Bartolomeut na kujton se rruga e Krishtit nuk ka nevojë vepra sensacionale
Kisha më 24 gusht kremton festën e Shën Bartolomeut apostull, i njohur gjerësisht
me emrin Nataniel. Pas Ngjitjes së Zotit në qiell, predikoi Ungjillin në rajone të
ndryshme të Azisë e në gjysmën e shekullit të parë, u martirizua. Benedikti XVI i
ka kushtuar shën Bartolomeut, audiencën e përgjithshme të 4 tetorit 2006. Shën Bartolomeu
– tha Papa në atë rast – qëndron para nesh për të na thënë se pranimi e ndjekja e
Jezu Krishtit mund të jetohet e të dëshmohet pa pasur nevojë të bëhen vepra sensacionale. Tradicionalisht,
shën Bartolomeu apostull, që vinte nga Kana e Galilesë, njihet si Nataniel, që do
të thotë “Zoti ka dhënë”. Shën Filipi apostull i pati thënë se kishte gjetur Atë,
për të cilin kishin shkruar Moisiu dhe profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.
Por Natanieli iu përgjigj Filipit me paragjykim, duke i thënë: “A mund të vijë gjë
e mirë nga Nazareti?” Ky kundërshtim është i rëndësishëm edhe për ne, siç na mëson
Benedikti XVI: “Vërtet, ai na tregon se, sipas mendimit judaik, Mesia nuk mund
të vinte nga një fshat kaq i errët si Nazareti. Por, njëkohësisht, na vë në dukje
lirinë e Zotit, që na habit, duke shkuar aty, ku askush nuk e pret. Nga ana tjetër,
e dimë se Jezusi nuk ishte vetëm “nga Nazareti”, por se lindi në Betlehem e se vinte
nga qielli, nga Ati që është në qiell”. Jeta e Natanielit na sugjeron një reflektim
tjetër: në marrëdhëniet tona me Jezusin nuk duhet të kënaqemi vetëm me fjalët. Kemi
nevojë ta shohim, të përjetojmë praninë e Tij: “Dëshmia e tjetërkujt është sigurisht
e rëndësishme, pasi normalisht krejt jeta jonë e krishterë fillon me shpalljen e Lajmit
të Mirë, që arrin deri tek ne përmes një e më shumë dëshmitarëve. Por, pastaj, duhet
të jemi ne vetë, që duhet të hyjmë në marrëdhënie intime e të thella me Jezusin”. Natanieli
ia beson jetën e vet Jezu Krishtit, duke i thënë: “Rabi, ti je Biri i Zotit, ti je
mbreti i Izraelit”. Këtu shihen qartë dy natyrat e Jezusit, të cilat nuk duhet t’i
harrojmë kurrë, thotë Papa: “Duhet t’i kemi gjithnjë parasysh si njërën, ashtu
edhe tjetrën e këtyre dy përmasave, pasi nëse shpallim vetëm përmasën hyjnore të Jezusit,
rrezikojmë ta kthejmë Atë në një qenie efimere e të pakapshme, e nëse, në të kundërtën,
do të njihnim vetëm ardhjen e Tij në histori, do të linim mënjanë përmasën hyjnore,
që e cilëson si duhet”. Që nga Mesjeta, u përhap gjerësisht tregimi i martirizimit
të Natanielit, të cilit iu rrjep lëkura. Në skenën e Gjykimit të Mbramë në Kapelën
Sikstine në Vatikan, Mikelanxhelo e ka pikturuar shën Bartolomeun apostull me lëkurën
e vet, në dorën e majtë, ku artisti ka lënë edhe autoportretin. Reliket e Shën Bartolomeut
nderohen në Romë, në kishën që i kushtohet atij, në ishullin Tiberin, ku ndodhen edhe
relike të tjera të martirëve të shekullit XX, përfshi shqiptarët.