2012-08-24 17:01:30

Benedikti XVI: të kapërcehen paragjykimet, për të kërkuar të vërtetën


Të kërkosh të vërtetën, do të thotë të dëshirosh ta kapërcesh pengesën e vështirë të paragjykimeve! Na e kujton këtë Ungjilli i festës së sotme, kushtuar Shën Bartolomeut Apostull, identifikuar me Natanaelin e fragmentit ungjillor. Argument ky, që Papa e ka prekur shumë herë gjatë katekizmave të tij.
Në fjalimin, që do ta kishte mbajtur në Universitetin romak, La Sapienza, Papa ftonte për kërkimin e mundimshëm të arsyes, për të arritur kështu, në njohjen e së vërtetës së plotë. Ndërsa paragjykimet janë përtace e nxitohen përballë së vërtetës, që nuk gjindet lehtë. Kështu Natanaeli i përgjigjet ashpër Filipit, që ia paraqet Jezusin si Mesi: “Mos prit të mirë nga Nazareti!”. E kjo ngjarje, na kujton Papa, tregon se shpesh herë njeriu, ndonëse i ndershëm, gënjehet nga paaftësia e tij për të hyrë në thellësi të çështjeve:
“Njëkohësisht, vë në dukje lirinë e Zotit, që i befason shpresat tona, duke u gjetur pikërisht atje, ku nuk e presim (Audienca e përgjithshme, 4 tetor 2006).
Por Natanaeli, duke u takuar drejtpërdrejt me Jezusin, preket deri në thellësitë e shpirtit dhe ia beson gjithë vetveten. Atëherë paragjykimi zhduket:
“Dija jonë për Jezusin ka nevojë, mbi të gjitha, për një përvojë të gjallë: dëshmia e tjetrit, natyrisht, ka edhe ajo rëndësinë e vet, sepse normalisht e gjithë jeta jonë e krishterë nis me një kumtim, që vjen deri tek ne përmes veprës së një a më shumë dëshmitarëve. Po duhet të jemi ne vetë, që hyjmë personalisht në lidhje të fuqishme me Jezusin (Audienca e përgjithshme, 4 tetor 2006).
Kërkimi parashikon udhën. Janë të shumtë ata, kujton Papa, që u tregojnë udhën të tjerëve, i ftojnë të ecin, ndërsa për vete nuk bëjnë asnjë hap.
Duke u takuar me të rinjtë në Madrid, vitin e kaluar, Benedikti XVI i pati nxitur: “Është gjë e mirë të jesh gjithnjë në kërkim. Kërkoni, mbi të gjitha, të vërtetën , që nuk është ide, ideologji, sllogan, por Vetje, është Krishti, vetë Zoti, që erdhi mes njerëzve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.