2012-08-23 16:50:40

Dita Ndërkombëtare kundër trafikut të qenieve njerëzore


Sot kremtohet Dita në kujtim të trafikut të Skllevërve dhe zhdukjen e tij. Në natën ndërmjet 22 dhe 23 gushtit 1791, një kryengritje e skllevërve të Santo Domingos shënonte fillimin e procesit që do të sillte më vonë zhdukjen e skllavërisë. Për të kujtuar këtë plagë të tmerrshme dhe për të luftuar format moderne të shfrytëzimit të njeriut, UNESCO kremton sot Ditën botërore të përkujtimit të tregtisë së skllevërve dhe të zhdukjes së skllavërisë. Të shumta janë nismat në të gjithë botën në përkujtim të kësaj plage njerëzore dhe në favor të luftës së ndalimit, madje të zhdukjes së tregtisë së skllevërve.
Po me krijimin e rrugëve të reja të emigracionit, mjerisht skllavëria vazhdon të jetë e pranishme në shoqërinë e sotme, duke marrë forma nga më të ndryshmet, që nga shfrytëzimi seksual tek ai i krahut të punës. Prandaj ende sot vijon trafiku i qenieve njerëzore apo shfrytëzimi seksual e ai në fushën e punës të miliona viktimave në botë, posaçërisht të grave e fëmijëve.
E nuk kemi të bëjmë vetëm me trafikun e njerëzve me qëllim shfrytëzimin seksual, por edhe me shfrytëzimin në sektorë të ndryshëm të punës, si në ndërtim, në bujqësi, në përdorimin e njerëzve si lypës, ku kryesisht gjejmë fëmijë, por edhe persona me aftësi të kufizuara. Arrihet deri tek transplantimi i organeve dhe tek adoptimet ndërkombëtare të paligjshme.
Me fenomenin e globalizimit, që e bën të lehtë transportin dhe zhvendosjen e njerëzve, edhe ky krim i urryer dhe trafiku i personave kanë marrë përmasa ndërkombëtare. Agjencitë ndërkombëtare të krimit e kanë kuptuar se si mund ta shfrytëzojnë globalizimin dhe lehtësinë, që ai jep në komunikime dhe transport. Rrugët e trafiqeve dihen e njihen edhe agjencitë, që nxisin këtë tregti të turpshme. Mungon ende legjislacioni i përshtatshëm, si për parandalimin, ashtu edhe për luftën kundër këtyre krimeve, legjislacion, që duhet t’i përgjigjet karakterit ndërkombëtar të fenomenit. Mendoj se në këtë fushë ka akoma shumë për të bërë. Prandaj sot duhen strategji në nivel kombëtar e një program dhe koordinim i veçantë në luftimin kundër trafikut. Është e rëndësishme ta njohim problemin, në formën që ai ka marrë sot, për ta luftuar si duhet që të mos ngadhënjen e keqja.







All the contents on this site are copyrighted ©.