Papa: Maria është Mbretëreshë, ashtu si Jezusi, “Mbret që u shërben shërbëtorëve të
vet”.
Është kulmi i përvujtërisë, që e bën Marinë Mbretëreshë para syve të Zotit e të Kishës.
Papa Benedikti XVI e shpjegoi këtë sot paradite, në audiencën e përgjithshme, kryesuar
në Kastel Gandolfo, në praninë e rreth 2500 besimtarëve. Papa Ratcinger foli për festën
e sotme liturgjike, kushtuar se Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë, duke i ftuar besimtarët
t’i drejtohen Asaj në çdo rrethanë të jetës. Të jesh mbret, sepse je shërbëtor.
Paradoksi i Krishtit-mbret, që lan këmbët e miqve të vet e mbret që mbërthehet mbi
kryq, vlen njëlloj edhe për Nënën e Tij, “shërbëtoren e Zotit”. Në audiencën e shkurtër
të përgjithshme, mbajtur në oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, Benedikti
XVI shpjegoi, përballë turmës, që e rrethonte, arsyen historike e shpirtërore të
njërit nga titujt e shumtë, me të cilët Kisha e nderon Zojën e Bekuar, titullin “Mretëreshë”.
Reflektimi i Papës ishte përgjigje dhënë pyetjes: “Çfarë mbretëreshe është Maria?”.
Ja edhe shpjegimi: “Ekziston një ide popullore, e rëndomtë, për mbretin
e mbretëreshën: njerëz me pushtet, me pasuri. Po ky nuk është tipi i pushtetit mbretëror
të Jezusit e Marisë. Pushteti mbretëror i Krishtit ndërthuret me përvujtërinë, me
shërbimin, me dashurinë: mbi të gjitha, është pushtet për të shërbyer, për të ndihmuar,
për të dashur. Prej këndej, pushteti mbretëror i Krishtit nuk ka të bëjë fare me atë
të njerëzve të fuqishëm të tokës. Krishti është mbret, që u shërben shërbëtorëve të
Tij; këtë e dëshmoi gjatë gjithë jetës. Kështu, edhe Maria”. Ishte Piu
XII që, në vitin 1954, e fiksoi në kalendar datën kushtuar Zojës Mbretëreshë, festa
e së cilës, kujtoi Benedikti XVI, ndonëse e caktuar vonë, është me zanafillë të lashtë.
Ashtu edhe devocioni. Në fillim kremtohej më 31 maj, por më pas Koncili II i Vatikanit
e zhvendosi tetë ditë pas Festës së Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, për të nënvizuar
më mirë, vërejti Papa, lidhjen e ngushtë ndërmjet pushtetit mbretëror të Marisë dhe
lumnimit të saj me korp e me shpirt, pranë të Birit: “Kjo është rrënja
e festës së sotme: Maria është Mbretëreshë, sepse ishte gjithnjë, në mënyrë të pashembullt,
përkrah të Birit, si në shtegtimin tokësor, ashtu edhe në lumninë e Qiellit. Shërbëtori
i Zotit, Pali VI, në Nxitjen Apostolike Marialis Cultus, kujtonte: “Virgjëra Mari
lidhet në gjithçka me Krishtin e në gjithçka varet prej Tij: për Të Hyji Atë, që në
amshim, e zgjodhi Nënë gjithëshenjte dhe e stolisi me dhuratat e Shpirtit Shenjt,
si askënd tjetër”. Pyetja e dytë, që bëri Papa, ishte, si të themi, më
praktike: “Si e ushtron Maria këtë pushtet mbretëror shërbimi e dashurie?”. Ashtu
si do ta ushtronte çdo nënë, duke na ruajtur e duke na ndihmuar ne, bijtë e Saj: “Në
çaste të ndritshme a të errëta të jetës sonë, ne i drejtohemi Marisë, duke ia besuar
vetveten ndërmjetësimit të Saj të përhershëm, që të na nxjerrë nga Biri hirin e mëshirën,
për të cilën kemi aq shumë nevojë në shtegtimin tonë nëpër udhët e botës. Virgjëra
Mari, si Nëna jonë pranë Birit Jezus në lumninë e Qiellit, është gjithnjë me ne, në
çdo çast të ditëve tona, të jetës sonë”. Benedikti XVI kujtoi, më pas,
Rruzaren dhe litanitë, me të cilat përfundon e me të cilat, prej shekujsh, Patriarkët
e Apostujt, Shenjtorët e familjet iu drejtuan Marisë, në lutje. Audienca përfundoi
me një sërë pëshëndetjesh, në gjashtë gjuhë, drejtuar grupeve të pranishme në Oborrin
e Pallatit Apostolik.