2012-08-22 14:01:26

Leksionet e Nënë Terezës: “Provania hyjnore”.


Leksioni i dytë! Nuk e kemi bluar ende mirë leksionin e parë në shkollën e Nënë Terezës, kur nis i dyti: duhet prerë buka, jo aq e freskët, e duhet bërë feta, mundësisht të njëllojta, për të mos shkaktuar protesta ndërmjet mysafirëve të përditshëm. Duart tona nuk janë mësuar të presin një bukë të tillë. Gishtat, që zakonisht mbajnë pendën a rrahin tastet e kompjuterit, ashpërsohen. Krijohen kallot e para. Madje edhe plagët e para. Duart delikate nuk janë për këtë vend, dalin menjëherë jashtë përdorimit. Me vështirësi, por me vullnet për të mos mbetur në klasë, e kryejmë punën, që na është caktuar. Buka e prerë radhitet për përdorim. Rreth fetave është grumbulluar një pirg me thërrime. I mbledhim e bëhemi gati t’i flakim në pleh. Por një dorë e kujdesshme na ndalon e një zë i ëmbël pëshpërit: “Nuk hidhen, shërbejnë për të bërë bukën e grirë, që duhet pastaj për të gatuar gjellët e tjera. Mos harroni. Për të varfërin është e çmuar edhe një dromcë!”.
Ndërkaq, falë punës së motrave e ndihmës së një grupi prej gjashtë vullnetarësh, darka është gati. Tani duhet shërbyer. Po kush janë ata, që mblidhen rreth sofrës bujare të Motrave të Nënë Terezës? Një? Dy? Dhjetra? Jo, janë me qindra. Këtu vijnë të hanë më se 200 të varfër, ekstrakomunitarë, të dëshpëruar. Shikojmë se, ndërsa ne po punonim në kuzhinë, një skuadër tjetër ka përgatitur sallën e ngrënies; të tjerë, akoma, kanë organizuar darkën për pleqtë e gratë, që strehohen në katin e epërm të shtëpisë. Një grup tjetër kthehet nga mësimet e katekizmit. Të tjerë, akoma, vijnë nga shtëpitë e familjeve të varfëra të zonës, të cilave u kanë dorëzuar nga një trastë me ushqime.
Po nga arrin këtu gjithë kjo gjë? – pyesim pa dashur. - Provania! - na përgjigjet shkurt një motër. Punojmë për sot, pa e ditur fare ç’do t’u japim për të ngrënë të nesërmen të varfërve tanë. E çdo ditë del dikush e sjell papritur e pa kujtuar atë, që na nevojitet. Mos kij frikë për të nesërmen! Beso në Provaninë hyjnore! Leksioni i dytë! I vështirë për t’u nxënë. Përfytyroje shtëpinë tënde fare të zbrazët, pa asnjë thërrime buke... Rrezikon të mbetesh në klasë!
Po Nënë Tereza na kujton se pikërisht besimi në Provaninë Hyjnore, në sa flijohesh vullnetarisht, davarit çdo ankth dhe e mbush zemrën me gëzim:
“Gëzimi është dashuri,
pasojë logjike e zemrës
së kallur flakë nga dashuria!
Gëzimi është nevojë
e forcë fizike.
Kandili ynë do të ndizet
e do të ndriçojë,
veç në se e mbushim plotme vepra dashurie!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.