Sot me 22 gusht kalendari Kishtar kremton festën e se Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë.
Maria, pjesëmarrëse në mbretërinë e lavdishme të Krishtit, propozohet sot nga Kisha
si shembull e shenjë shprese për të krishterët, të cilët të pasitur me dinjitetin
mbretërore të Zotërisë Jezus në Sakramentin e Pagëzimit, janë të thirrur të mbretërojnë
përjetësisht në amshim me Të. Pra, Festa e sotme e së Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë,
që përkon me atë të Krishtit Mbret, u themelua nga Piu XII në vitin 1955. Para reformimit
të kalendarit liturgjik, kremtohej më 31 maj, si kurorëzim i devocionit të veçantë
marian në muajin që i kushtohet Zojës së Bekuar. Ndërsa 22 gushti i takonte Zemrës
së Papërlyer të Marisë. Pikërisht në këtë datë u caktua festa e Marisë Mbretëreshë,
për t’i afruar pushtetin mbretëror të Virgjërës me lumturimin e saj përmes Ngjitjes
në Qiell. Ky vend krejt i veçantë, pranë Krishti Mbret, vjen nga një numër i madh
titujsh, të cilët shpjegohen nga Piu XII në letrën enciklike ‘Ad Coeli Reginam’(11 tetor 1954), duke nisur nga titulli Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve të korpit
mistik, për të vijuar me titullin ‘Perandoreshë e Shenjtë e Mbretëreshë e Kishës’,
që e bëjnë pjesëtare jo vetëm të pushtetit mbretëror të Krishtit, por edhe të ndikimit
të tij jetik e shenjtërues mbi gjymtyrët e Korpit mistik. Në latinisht fjala ‘regina’
(mbretëreshë) ashtu si fjala ‘rex’ (mbret), rrjedhin nga folja ‘regere’
(të mbretërosh, të sundosh). Po ta shikosh me syrin njerëzor, është e vështirë
t’i japësh Marisë një rol sundues. Si mund ta shikosh si sundimtare, Atë që e shpalli
veten shërbëtore e Hyjit e që e kaloi gjithë jetën në fshehtësi e në heshtje? Luka,
në Veprat e Apostujve, e përshkruan Marinë pas ngjitjes së Krishtit në qiell, në mes
të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke u lutur. E urdhrat nuk i jep ajo, por Pjetri.
Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është hallka që i mban këta burra, ende të papërforcuar
nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtë me të Ngjallurin. Maria është mbretëreshë, sepse
është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat
në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe i falen kombet e popujt, poetët e artistët e të
gjitha kohëve, e edhe poeti anonim shqiptar, që i këndon:
“T’ falem,
Mbretneshë, e bukura! Mbi krye tand ndritë kunora, Që e popujve
edhé e kombeve Desht me vendue dora, Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave, Toka
ty t’ thotë se t’ don!”.