2012-08-21 14:33:38

Vatikani konfirmon udhëtimin e Papës në Liban


Vatikani konfirmon udhëtimin e Benediktit XVI në Liban e përcjell nga afër zhvillimet e krizës në Siri. Pra “përgatitjet për udhëtimin e Papës në Liban vazhdojnë pa asnjë lëkundje nga ana e Vatikanit”: pohimi është i zëdhënësit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi dhe u jep përgjigje hamendjeve të disa mediave që shkruajnë për anullimin e shtegtimit apostolik.
Papa Benedikti XVI pritet në Vendin e kedrave nga data 14 deri më 16 shtator, kryesisht për të nënshkruar dokumentin kishtar, ‘Nxitjen Apostolike’ pas Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme e për t’ua dorëzuar atë ipeshkvijve dhe klerit katolik të zonës. Është fjala për dokumentin që përmbledh propozimet e reflektimet e ipeshkvijve të rajonit që kanë dal nga sinodi mbajtur para dy vjetësh në Vatikan mbi Lindjen e Mesme.
Atë Lombardi iu përgjigj pyetjeve të Agjencisë “France Press” (AFP), e cila ka shpreh frikën e disa ambienteve për anulimin e udhëtimit papnor, për shkak të pasojave që mund të ketë kriza siriane mbi Libanin. “Shenjë konkrete për faktin se përgatitjet vazhdojnë – nënvizoi mes tjerash atë Lombardi – është autovetura papamobili, nisur tashmë për në Bejrut”.
Përgatitja për realizimin e udhëtimit të Papës po çohet përpara si nga Kisha maronite e Libanit e po kështu edhe nga pjesa dërmuese e komunitetit mysliman, është fjala për dy komponentë të shoqërisë libaneze që e shohin vizitën e Papës si rast të volitshëm për ta pranuar e propozuar mesazhin e paqes, me rëndësi edhe për mbarë Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.