2012-08-21 14:34:14

Obama nuk e përjashton ndërhyrjen në Siri, në rastin e përdorimit të armëve kimike. Imzot Xenari: respekt për të drejtën humanitare


Gjithnjë e rëndë gjendja në Siri. Franca akuzon autoritetet se sistematikisht pengojnë dhe frikësojnë përfaqësuesit e mediave, ndërsa duhet të sigurojnë lirinë e shtypit dhe jetën e gazetarëve. Nota e Ministrisë së Jashtme franceze u bë e njohur pas vrasjes së gazetares japoneze, Mika Jamamoto, në Haleb. Pikërisht nga Halebi, por edhe nga Daraa e nga Hama vazhdojnë të mbërrijnë lajme për viktima e të plagosur civilë. Presidenti amerikan Barak Obama kërkoi gjithashtu daljen nga skena të al Asadit dhe pohoi se nuk e përjashton mundësinë e ndërhyrjes, nëse regjimi do të përdorë armë kimike. I kërkuam një koment Nuncit Apostolik në Damask, imzot Mario Xenari:
Nuk më përket mua të hyj në detaje për atë, që thotë Obama. Unë mendoj se në këtë çast, u duhet kërkuar të gjitha palëve në konflikt të respektojnë me rigorozitet të drejtën humanitare ndërkombëtare, e cila as që merret parasysh nga të dyja palët. Duhet kërkuar respektimi i kufijve të fiksuar nga e drejta humanitare ndërkombëtare. Të gjithë s’kemi fjalë për ta përshkruar gjendjen. Është e vështirë të bësh komente, jemi të tronditur e thellësisht të trishtuar, të shqetësuar për të ardhmen. Edhe largimi i helmetkaltërve të misionit të vëzhguesve të OKB-së është një goditje jo e vogël. Para tre-katër muajsh kishim shumë besim në atë misionin e tani, ikja e tyre na hedh edhe një herë në një realitet të vështirë. Por, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të ndalet, duhet të përpiqet vazhdimisht. Tani, shpresojmë që të bëjë diçka i dërguari i ri i OKB-së.
Gjithnjë e më tepër flitet për luftë civile me tensione të ashpra ndërmjet sunitëve, shiitëve dhe forcave, që kanë të bëjnë pak ose aspak me revolucionin e tipit të “pranverës arabe”. Dukej se kërkesat e fillimit ishin liria dhe demokracia, por tani karakteri i ndeshjeve ka ndryshuar, apo jo?
Fatkeqësisht, kemi përshtypjen dhe frikën se gjërat po na ikin nga duart… Dua të përmend deklaratën e këtyre ditëve të të dërguarit të ri të Kombeve të Bashkuara, Lakhdar Brahimi, i cili tha se vërtet ndërmjetësuesi mund ta ndihmojë paqen, por në fund të fundit, janë sirianët ata, që duhet t’i kërkojnë e t’i gjejnë rrugët e paqes. Natyrisht, bashkësia ndërkombëtare duhet të na ndihmojë, por sirianët duhet t’i bëjnë vetë “detyrat e shtëpisë”. Gjetja e rrugës drejt paqes është e vështirë, do të kërkojë sakrifica, dhimbje, por nuk mund ta bëjnë të tjerët në vend të sirianëve. Duhet t’i inkurajojmë të gjitha grupet etnike e fetare të gjejnë së bashku udhën e pajtimit. Bashkësitë e krishtera mund dhe japin kontributin e tyre. Në këtë gjendje kaq tragjike, misioni i të krishterëve përputhet me thirrjen e tyre për të qenë ndërtues urash ndërmjet njerëzve. E po i shoh dëshmitë tyre shumë të bukura, heroike, jo vetëm në nivelin personal, por edhe në nivelin e bashkësive famullitare. Ka laikë e të rinj që impenjohen me shpirt në këtë mision urgjent e jashtëzakonisht të nevojshëm në këtë moment.







All the contents on this site are copyrighted ©.