2012-08-21 16:17:56

Kryeipeshkvi i Lagosit në Nigeri: qeveria të dialogojë me sektin Boko Haram


Qeveria e Nigerisë të kërkojë dialogun me fondamentalistët islamikë të sektit Boko Haram, sepse lufta nuk ka sjellë kurrë paqe të qëndrueshme në historinë e njerëzimit. Këto janë fjalët e kryeipeshkvit të Lagosit, imzot Alfred Adeuale Martins në shtypin lokal, ndërsa goditej nga dhuna e integralistëve shkolla katolike e Damagunit. Episode të turpshme, kryer nga njerëz të neveritshëm, thekson imzot Martins, duke nënvizuar se Islami është fe e paqes, ndërsa këta që ushtrojnë dhunë kundër vëllezërve të tyre nigerianë nuk janë myslimanë të vërtetë, por terroristë.
Kryeipeshkvi i Lagosit i bën thirrje qeverisë së vendit të veprojë me vendosmëri kundër sulmeve të tilla, pa e lënë mënjanë udhën e ndërmjetësimit e të dialogut, pasi është më mirë kur palët ulen në tryezë për të paraqitur opinionet e tyre. Imzot Martins i fton të gjithë besimtarët t’i luten Zotit për paqen e më pas, ndalet në rolin e shtypit, i cili ka qenë shumë i rëndësishëm në të kaluarën për t’i treguar popullit rrugën e demokracisë. Edhe sot, shpjegon prelati, duke kritikuar ashpër sulmet e fundit kundër profesionistëve të lajmit, mass mediat mund të mobilizojnë, përforcojnë e nxisin vlerat pozitive të shoqërisë, prandaj ai i kërkon qeverisë të mbrojë të drejtat e gazetarëve dhe jetën e tyre, duke u dhënë kështu mundësi të plotësojnë detyrën e edukimit, të informimit e të argëtimit të popullsisë, mision i çmuar për zhvillimin e një kombi.







All the contents on this site are copyrighted ©.