Sot më 20 gusht kalendari kishtar përkujton shën Bernardin e Kiaravales
“Sot kujtojmë shën Bernardin e Kiaravales, që Papa Piu VIII e pati quajtur “doktori
gojëmjaltë”, sepse ishte tepër i aftë të komentonte tekstet biblike, duke shpjeguar
kuptimin që fshihej ndër to. Ky mistik i madh, që dëshironte të jetonte i zhytur në
“luginën e ndritshme” të kundrimit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer
Kishës në nevojat e kohës e për të mbrojtur fenë e krishterë. U quajt edhe ‘Doktor
marian’, jo sepse shkroi shumë për Zojën e Bekuar, por sepse diti ta vlerësojë rolin
e saj themelor në Kishë, duke e paraqitur si model i përkryer i jetës murgare e i
çdo forme tjetër të jetës së krishterë”. Kështu e kujtoi Papa Benedikti XVI, gjatë
audiencës së përgjithshme të 20. 08. 2008, Shën Bernardin e Kiaravales, lindur në
Dizhon të Francës më 1090 e vdekur në Kiaravalle, më 20 gusht 1153. Njëzet e dy vjeç
u bë murg, duke tërhequr pas vetes edhe tridhjetë të rinj të tjerë nga fisi i tij.
U mbyll në manastirin e Sitosë, themeluar nga Robert Molemë. Njëzet e pesë vjeç
e nisën të themelojë një manasrtir tjetër në Klervò, fushë e pabanuar, që do të bëhej
Clara Vallis e tij dhe e murgjërve të tij. Pas Robertit, Alberikut e Shtjefinit,
Bernardi, qe atë i Urdhërit Çisteçens. E çisterçensëve të tij u kërkoi më pak salltanet,
më pak funksione, më pak lexim e shumë më tepër, punë. Përhapi në Evropën e paditur
mitet e lëvrimit, apostujt me shat, që vunë në rregull tokën dhe ujin e bashkë me
ta, edhe kafshët, duke e shndërruar, me djersë e me lutje, historinë e Kontinentit.
Në vitin 1145 u ul në fronin e Shën Pjetrit nxënësi i tij, Bernardo dei Paganeli
(Eugjeni III) e ai i dërgoi një traktat, që vlente për çdo papë, e posaçërisht për
nxënësin e tij, të cilin e fton të mos gënjehet nga njerëzit, të cilët i silleshin
rrotull: “A mund të më tregosh të paktën një, që e përshëndeti zgjedhjen tënde pa
marrë para, ose pa shpresë se do t’i marrë? E, kujdes, pikërisht ata që mundohen të
të bindin se janë shërbëtorë besnikë, s’dëshirojnë gjë tjetër, veçse të përfitojnë
nga ti. Ruaju prej tyre!”. Vitet e fundit Shenjti kaloi çaste të hidhura: vështirësi
në urdhër, përhapje herezish e vuajtje fizike. Vdiq nga tumori në stomak. U varros
në Kishën e manastirit, por gjatë revolucionit eshtrat e tij u flakën nga varri; shpëtoi
vetëm koka, që ruhet në katedralen e Troasë.Aleksandri III e shpalli shenjt në vitin
1174; Piu VIII, më 1830, i dha titullin ‘Doktor i Kishës”.