2012-08-20 15:25:17

Në mesazhin për Takimin e Riminit, Papa i kërkon njeriut të pranojë se është krijesë e Zotit


Takimi i Riminit, i organizuar si çdo vit, nga Lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim” përfundoi ditën e tij të dytë. Sot, pjesëmarrësit, ndër të cilët edhe ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji dhe një grup shqiptarësh, diskutuan për parimin e lirisë fetare dhe ndikimin në jetën shoqërore e politike të botës, folën për njeriun si qënie fetare dhe për marrëdhëniet me Islamin. Tema e këtij viti “Natyra e njeriut dhe marrëdhëniet e tij me Amshimin” ishte edhe në qendër të mesazhit të Papës Benedikti XVI, dërguar ipeshkvit të qytetit bregdetar italian, imzot Françesko Lambiazi.
“Të flasësh për njeriun dhe etjen e tij për amshim – shkruan Papa në mesazh – do të thotë, para së gjithash, të pranosh…se njeriu eshte krijesë e Zotit”. E megjithatë, vërën Ati i Shenjtë, duket se kjo fjalë, “krijesë”, është sot jashtë mode, mendohet se njeriu është protagonisti i vetëm i fatit të tij. Por sado të përpiqet njeriu ta mënjanojë Hyjin, zemra e tij e kërkon amshimin, nganjëherë edhe në drejtime të gabuara, që sjellin kënaqësi aty për aty, por janë në vetvete shumë të rrezikshme. Papa përmend drogën, seksualitetin e shfrenuar, suksesin me çdo kusht e madje, edhe format e rreme fetare. Për ta njohur vërtet vetveten e për të gjetur rrugën drejt Zotit, thekson Benedikti XVI, njeriu duhet të pranojë se është krijesë e Tij e varet prej Hyjit. Këtu e ka bazën liria e vërtetë dhe e plotë e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.