Ekspozita “Shqipëria, Athleta Christi. Rrënjët e lirisë së një populli” në Takimin
e Riminit
Kush më shumë se shqiptarët mund të dëshmojnë sa të vërteta janë fjalët e Papës. Nën
komunizmin ateist, u mbyllën vendet e kultit në emër të çlirimit të njeriut nga Zoti,
por ai njeri u zhyt në errësirën më të thellë, që kishte parë ndonjëherë, i privuar
edhe nga liria për të menduar me mendjen e vet. Takimi i Riminit është rast për të
dëshmuar pikërisht këtë përvojë e shqiptarët e Lëvizjes “Bashkim e Çlirim” e kanë
shfrytëzuar për të dokumentuar, me ekspozitën e titulluar “Shqipëria, Athleta Christi.
Rrënjët e lirisë së një populli”, se liria identifikohet me varësinë e njeriut nga
Zoti, i vetmi që i kundërvihet diktaturës së njeriut kundër njeriut. Ekspozita u hap
dje në Rimini dhe do të mbyllet të shtunën, më 25 gusht. Grupi përgatitor ka shfrytëzuar
përvojën personale dhe dokumentet për një ekspozitë multimediale, menduar me tri ikona
historike.
Ikona e parë paraqet Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i quajtur
nga papët “Athleta Christi”, pasi ndaloi otomanët në dyert e Evropës. Identiteti i
popullit shqiptar farkëtohet më tej nga kleri dhe rregulltarët katolikë. Prania e
tyre besnike ndër shqiptarët përmblidhet bukur në letrën e hapur të vitit 1932, me
të cilën fretërit françeskanë të Shkodrës i përgjigjen Ministrit të Arsimit të mbretit
Zog, kur ky propozon të mbyllë shkollat private. Letra është një nga majat e publicistikës
polemike shqiptare, shkruar nga atë Gjergj Fishta, me titull “Gabove Hilë” e i kujton
Ministrit të atëhershëm të Arsimit, Hil Mosi, me një ironi të hollë, kontributin e
françeskanëve e të klerit shqiptar në edukimin e rinisë, në botimin e gazetave e të
revistave, në pajtimin e gjaqeve e madje edhe në derdhjen e gjakut për Shqipërinë,
ndërsa ju – shkruan Fishta – jeni shëndoshë e mirë.
Në ikonën e dytë të
ekspozitës shihen protagonistët kryesorë të Rilindjes shqiptare, e cila çon drejt
vitit 1912, shpalljes së Pavarësisë e më pas, viktimat e persekutimit komunist të
klerit. Martirë, pranë të cilëve edhe Nënë Tereza, shenjte e madhe e shekullit
XX, që dëshmon Krishtin në botë, ndërsa Shqipëria zhytet në errësirën e ateizmit të
paskrupullt, i cili, dalëngadalë, i bën varrin vetes, pasi natyra njerëzore nuk mund
të jetë thjesht prodhim ideologjik.
Ikona e tretë është Shqipëria pas komunizmit.
Shqiptarët përpiqen të rigjejnë identitetin e tyre: janë të lirë, por akoma skllevër
të mendimit komunist. Objektivi i grupit, që ka përgatitur ekspozitën, është të vazhdohet
debati për ta gjetur këtë identitet edhe me ndihmën e fesë, duke pasur parasysh se
kultura e shqiptarëve është pjesë e kulturës perëndimore e se lufta e tyre për liri
i përket Perëndimit, që duhet ta njohë e ta vlerësojë e ndoshta edhe të mësojë prej
saj. Një nga personat që janë kujdesur për ekspozitën është Zhirajr Mokini Poturljan,
të cilin e ftuam në mikrofonin tonë. Ta dëgjojmë….....