Benedikti XVI: shenjtëria nuk është luks për pak, por thirrje për çdo të krishterë!
Periudha e pushimeve është kohë e përshtatshme edhe për t’i njohur më mirë shenjtorët,
për të cilët Kisha u flet çdo ditë besimtarëve. Kjo është edhe ftesa, që më 20 gusht
2008 Benedikti XVI u bëri paradite 4 mijë besimtarëve, mbledhur në oborrin e Pallatit
Apostolik në Kastel Gandolfo, për të marrë pjesë në audiencën e përgjithshme. Ndërmjet
tjerash, në fillim të katekizmit të 20 gushtit 2008 Papa Jozef Ratcinger kujtoi se
“çdo ditë –– Kisha na paraqet një ose disa shenjtorë e të lum, që t’u lutemi ose
t’u përngjasim. Këtë javë, për shembull, do të kujtojmë disa, shumë të dashur për
devocionin popullor. Dje kujtuam Shën Gjonin Eudes i cili, përballë rreptësisë së
zhansenistëve - jemi në shekullin XVII – përhapi devocionin e butë, burimin e të cilit
e gjeti tek Zemra e Jezusit dhe e Marisë”. Sot më 20 gusht kujtojmë Shën Bernardin
e Kiaravales, të cilin Papa Piu VIII e pati quajtur “doktori gojëmjaltë”, sepse ishte
tepër i aftë të komentonte tekstet biblike, duke shpjeguar kuptimin që fshihej ndër
to. Ky mistik i madh, që dëshironte të jetonte i zhytur në “luginën e ndritshme” të
kundrimit, u detyrua të shtegtonte nëpër Evropë për t’i shërbyer Kishës në nevojat
e kohës e për të mbrojtur fenë e krishterë. U quajt edhe ‘Doktor marian’, jo sepse
shkroi shumë për Zojën e Bekuar, por sepse diti ta vlerësojë rolin e saj themelor
në Kishë, duke e paraqitur si model i përkryer i jetës murgare e të çdo forme tjetër
të jetës së krishterë”. Nesër më 21 gusht do të përkujtojmë Shën Piun X, që jetoi
në një peridhë të trazuar historike. Gjon Pali II, gjatë vizitës në vendlindjen e
tij, e kujtoi kështu: ‘Luftoi e vuajti për lirinë e Kishës, e për këtë liri qe gati
të flijojë privilegje e nderime, të përballojë keqkuptime e grindje, sepse këtë liri
e vlerësonte si garanci të domosdoshme për tërësinë dhe koherencën në fe “ (Mësimet
e Gjon Palit II, VIII, 1, 1985, pg.1818). Më 22 gushtin e ardhshme do t’i kushtohet
Zojës së Bekuar, Mbretëreshë, festë e themeluar nga Shërbëtori i Hyjit, Piu XII, në
vitin 1955, të cilën liturgjia e përtërirë e pas Koncilit II të Vatikanit, e vendosi
si plotësim të të Ngjiturit të Marisë në Qiell, sepse të dy privilegjet formojnë të
njëjtin mister. Më 23 gusht, do t’i lutemi Shën Rozës nga Lima, shenjtorja e parë
e kanonizuar e Kontinentit latinoamerikan, i cili e ka edhe Pajtoren e vet kryesore.
Shën Rozës i pëlqente të përsëriste: “Në se njerëzit do ta dinin ç’do të thotë të
jetosh në hirin hyjnor, nuk do të kishin frikë nga asnjë vuajtje e do të pësonin me
kënaqësi çdo mundim, sepse hiri është fryt i durimit”. Vdiq 31 vjeçare, në vitin 1617,
pas një jete të shkurtër, plot me mungesa e vuajtje, në festën e Shën Bartolomeut
Apostull, të cilin Kisha e përkujton më 24 gusht, e për të cilin kishte devocion të
posaçëm, sepse kishte pësuar një martirizim tepër të dhimbshëm – shpjegoi Papa - dhe
në vijim kujtoi se ditë për ditë Kisha na jep mundësinë të ecim në shoqëri me shenjtorët.
Më pas, duke cituar teologun e njohur Hans Urs fon Baltazar, Benedikti XVI nënvizoi
se shenjtorët janë komenti më i rëndësishëm i Ungjillit, zbatim i tij në jetën e përditshme.
Prej këndej, përfaqësojnë për ne të gjithë një rrugë reale për t’u takuar me Jezusin.
Shkrimtari francez Zhan Giton – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë Ratcinger – i përshkruan
‘si ngjyrat e spektrit në lidhje me dritën”, sepse secili, me tonalitetet e theksimet
e veta, pasqyron dritën e shenjtërisë së Hyjit”. Prandaj ka shumë rëndësi ta kultivosh
njohjen dhe devocionin e shenjtorëve, përkrah meditimit të përditshëm të Fjalës së
Zotit dhe dashurisë bijnore për Zojën e Bekuar: “Koha e pushimeve – tha në vijim
Papa Benedikti XVI – është sigurisht kohë e përshtatshme për të marrë në dorë biografinë
dhe shkrimet e ndonjë shenjti apo shenjtoreje, por çdo ditë e vitit na jep mundësinë
të familjarizohemi me pajtorët tanë qiellor”. Përvoja e tyre njerëzore e shpirtërore
tregon se shenjtëria nuk është luks, nuk është privilegi për pak njerëz, cak që njeriu
i zakonshëm nuk mund ta arrijë; ajo, në të vërtetë, është fati i përbashkët i të gjithë
njerëzve, të cilët janë të thirrur të jenë bij të Hyjit, thirrje kjo universale e
gjithë të pagëzuarve. Shenjtëria u ofrohet të gjithëve; por natyrisht, jo të gjithë
shenjtorët janë njëlloj: janë, ashtu siç kujtova më parë, spektër i dritës hyjnore: “E
nuk është e thënë të jetë shenjt i madh, ai që është i pajisur me karizma të jashtëzakonshme.
Ka edhe nga ata, emrat e të cilëve i di vetëm Hyji. Shembulli i tyre dëshmon se vetëm
kur je në lidhje të ngushtë me Zotin, mbushesh përplot me paqen e tij e me gëzimin
e tij e je në gjendje ta përhapësh kudo paqen, shpresën e optimizmin”. Duke
pasur parasysh larminë e karizmave të tyre, Benanos, shkrimtar i madh francez, i mahnitur
nga figurat e shenjtorëve – vijoi të kujtonte Papa - paraqet shumë prej tyre në romanet
e tij, duke arritur në përfundimin se jeta e çdo shenjti është si lulëzim i ri pranveror.
Uroj – tha në përfundim Benedikti XVI, duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve
- që edhe ne t’i shikojmë me këtë sy. E ta lemë veten të tërhiqemi nga hiri i tyre
i mbinatyrshëm i shenjtërisë! Na e nxjerrtë këtë hir Virgjëra Mari, Mbretëreshë e
të gjithë Shenjtorëve, Nënë e Strehë e mëkatnorëve!