2012-08-20 12:51:17

Benedikti XVI për shën Bernardin e Kiaravales


Kisha kujton sot në liturgji shën Bernardin e Kiaravales. Shenjti, që jetoi në shekullin XII, numërohet ndërmjet Dijetarëve të Kishës e njihet si një nga Etërit e saj të fundit, që mblodhi, me aftësi e urti, trashëgiminë e pasur të doktrinës patristike. Figurës e mësimeve të tij, Benedikti XVI i ka kushtuar dy audienca të përgjithshme. Së bashku me këtë Shenjt, pohon Papa, edhe ne duhet të pranojmë se njeriu e kërkon më mirë Zotin dhe e gjen më lehtë me lutje e me kundrim, sesa me ushtrimin e arsyes.
“T’i kushtohet vëmendje e dorës së parë përvojës së gjallë e të thellë të takimit me Zotin”: ky është qëllimi i teologjisë, sipas Bernardit të Kiaravales (1090-1153), i cili arriti ta përtërinte thellë jetën murgare të kohës; u kujtoi me vendosmëri murgjërve nevojën e një jete të thjeshtë e të matur, duke i porositur të kujdesen posaçërisht për të varfërit; i mori nën mbrojtje hebrenjtë, duke dënuar haptazi ripërhapjen e antisemitizmit; iu kundërvu herezisë së Katarëve të cilët, duke përbuzur materien, përbuznin vetë Krijuesin. Por Papa vë theksin kryesisht mbi dy aspekte kryesore të Doktrinës së Bernardit: të Jezusit e të Marisë:
“Për Bernardin, Hyji mund të njihet përmes përvojës vetjake, të thellë, të takimit me Jezu Krishtin e me dashurinë e tij. E kjo vlen për çdo të krishterë: feja, mbi të gjitha është takim personal, intim, me Jezusin, përvojë e afërsisë së tij, e miqësisë e tij, e dashurisë e tij. E vetëm kështu njeriu mëson ta njohë gjithnjë më shumë, ta dojë e ta ndjekë gjithnjë më mirë”(Audienca e përgjithshme, 21 tetor 2009).
Shën Bernardi, na kujton Papa, ishte i dashurar me Jezusin e me Marinë. Dante Aligieri, në Komedinë Hyjnore, e paraqet si autorin e lutjes sublime, drejtuar Zojës së Bekuar: “Virgjin e Nanë, e bija e tand biri/, ti e përvujtë e e naltë, mbi kreatyrët të tana...”. Është një dashuri të cilën, vëren Papa, edhe sot teologët duhet ta kenë mirë parasysh:
“Nganjëherë pretendohet se çështjet themelore mbi Zotin, mbi njeriun e mbi botën, mund të zgjidhen vetëm me forcën e arsyes. Ndërsa Shën Bernardi, duke u mbështetur fuqimisht mbi Biblën dhe mbi Etërit e Kishës, na kujton se pa besimin e thellë në Hyjin, të ushqyer nga lutja, nga kundrimi e nga lidhja e ngushtë me Zotin, reflektimet tona mbi misteret hyjnore ka rrezik të përfundojnë në një ushtrim të kotë intelektual e ta humbasin besueshmërinë e tyre”.
Së bashku me Bernardin e Kiaravales, porosit Papa, edhe ne duhet të pranojmë se njeriu e kërkon më mirë Zotin dhe e gjen më lehtë me lutje, sesa me diskutim:
“Në fund të fundit, figura më e vërtetë e teologut dhe e çdo ungjillëzuesi mbetet ajo e Shën Gjonit Apostull, që mbështeti kokën mbi zemrën e Mësuesit (Audienca e përgjithshme, 21 tetor 2009).
Benedikti XVI kujton edhe se “teologjisë së zemrës” të Shën Bernardit, iu kundërvu Abelardi, me teologjinë e tij të arsyes: Bernardi nuk pajtohet lehtë me Abelardin, e, më në përgjithësi, me ata që ia nënshtronin të vërtetën e fesë shqyrtimit kritik të arsyes; shqyrtim që, sipas tij, krijonte një rrezik të madh, atë të intelektualizmit, të relativizimit të së vërtetës, të vënies në diskutim të vetë së vërtetës së fesë.
E këtu Benedikti XVI ripohon se parimet që këshillon filozofia, kanë vetëm vlerën e mjeteve, e duhet të jenë në drejtpeshim me ato, që Papa i quan ‘parime arkitektonike” të Zbulesës. Në se ky drejtpeshim prishet, i takon Magjisterit ta rivendosë, duke i mbrojtur besimtarët më të thjeshtë nga argumentime teologjike, që mund ta rrezikojnë fenë e tyre. Është edhe një nga mësimet e mëdha të kësaj polemike të lashtë. Një mësim tjetër na japin këto dy figura të ndritura që, ndonëse kundërshtarë të flaktë, nuk harronin, në fund, vlerën më të madhe: atë të pajtimit. Abelardi u tregua i përvujtë duke pranuar gabimet e tij, Bernardi iu përgjigj me dashamirësi:
“Të dy vunë, mbi gjithçka, pikërisht atë që duhet ta ketë për zemër kushdo, kur lind një polemikë teologjike, domethënë mbrojtjen e fesë së Kishës dhe përpjekjen për triumfin e së vërtetës, të thënë me dashuri. Uroj që kjo të jetë edhe sot mënyra e ballafaqimit në Kishë, duke pasur gjithnjë si qëllim, kërkimin e së vërtetës”.
Po e përfundojmë këtë jetëshkrim të Shën Bernardit me një lutje drejtuar Marisë, shkëputur prej njërës nga homelitë e tij më të bukura:
“Në rreziqe, në angushti, në pasiguri, mendo gjithnjë për Marinë, lutju Marisë. Emrin e saj ta kesh gjithnjë në buzë, gjithnjë në zemër. E me që kërkon ndihmë nga lutja e saj, mos e harro kurrë shembullin e jetës së Marisë. Në se e ndjek, nuk do të dredhosh rrugë; në se i lutesh, nuk mund të dëshpërohesh; në se mendon për të, nuk mund të gabosh. Në se ajo të mban, nuk mund të rrëzohesh; në se të mbron, nuk duhet të kesh frikë nga asgjë; në se të prin, nuk do të lodhesh; në se të përkrah, do të arrish pa tjetër tek caku!” (Hom, II super “Missus est”, 17: PL 183, 70-71).







All the contents on this site are copyrighted ©.