2012-08-20 13:28:47

44 vjet më parë trupat e Traktatit të Varshavës pushtonin Cekosllovakinë: dëshmia e kardinalit Vlk.


44-vjet më parë, e ishte nata ndërmjet 20 e 21 gushtit të vitit 1968, trupat sovjetike pushtonin Çekosllovakinë e asokohshme, duke i dhënë fund të ashtuquajturës ‘Pranvera e Pragës’. U hodhën poshtë, kështu, instancat reformiste të Aleksandër Dubçekut, udhëheqës komunist i kësaj stine të ngrohtë, që deshi të vërë në jetë modelin komunist me fytyrë njerëzore. Shpresa për një ndryshim real karakterizoi thellësisht gjithë këtë periudhë, posaçërisht në vendet satelite të Bashkmit Sovjetik, që pësonin nën thundrën e komunizmit, i cili nuk e kishte ndër mend të ndërronte fytyrë. Këtë nënvizon, në mikrofonin e Radio Vatikanit, ish kryeipeshkvi i Pragës, kardinali Miroslav Vlk:
Përgjigje: - Para ’68-tës, Kisha ishte krejtësisht në duart e komunistëve. Pastaj, më 1968, lindën shpresa të reja. Ipeshkvijtë në verën e ’68-tës u rikthyen në dioqezat e tyre e u ndje kudo atmosfera e festës së madhe. Kur u hap dalë-nga-dalë, në ’68-tën, kjo epokë e re, e ndjemë veten vërtetë të lumtur. U shkruam të gjithë ipeshkvijve të kthehen sa më shpejt në dioqezat e tyre. Dalldia ishte e papërshkrueshme, ndoshta prandaj nuk e besuam se shpresa do të zgjaste aq pak. Besuam e shpresuam se modeli komunist edhe mund të reformohej. Harruam se regjimi komunist nuk mund të reformohet kurrë e në asnjë vend.
Pyetje: - Ç’mbetet sot nga klithma e fuqishme për liri, që u mbyt nga trupat ruse të Traktatit të Varshavës?
Përgjigje: - Sivjet po kujtohet shumë përvoja e Pranverës së Pragës. Kujtohet posaçërisht për rininë. Kujtohet për ata që nuk i jetuan ato vite, për t’u treguar sa i rrezikshëm është regjimi komunist. Duhet që njerëzit të mos e harrojnë kurrë rrezikun e komunizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.