2012-08-18 19:30:31

Vendimi për hedhjen në gjyq të Paolo Gabrieles – hap tjetër drejt transparencës. Notë e atë Lombardit.


Javës së kaluar u dha vendimi për kujdestarin e dhomës së Papës, Paolo Gabrielen, i akuzuar për vjedhjen e dokumentave të rezervuara nga tryeza e punës e Benediktit XVI dhe për nxjerrjen e tyre jashtë Vatikanit. Gjykatësi hetimor vendosi ta hedhë në gjyq, së bashku me një punonjës tjetër të Guvernatoratit, i cili akuzohet vetëm për favorizim, pra shumë më pak se Gabriele. Siç thekson zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, në një notë zyrtare, vendimi nuk i jep fund çështjes, pasi hetimi vazhdon për të sqaruar akuza të tjera dhe përfshirjen e elementëve të tjerë në këtë çështje. Por, siç nënvizon atë Lombardi, vendimi është diçka e re në politikën e ndjekur nga Vatikani, hap konkret, bërë me mjete e metoda juridike specifike, për t’i përballuar problemet me rigorozitet e transparencë. Të dëgjojmë atë Federiko Lombardin:
“Publikimi i zgjeruar dhe i plotë, duke mbajtur të rezervuar vetëm emrat dhe mbiemrat e personave, që duhen mbrojtur, është një akt i guximshëm dhe deri tani, mjaft i pazakonshëm në mënyrën vatikanase të sjelljes.
Vendimi i Papës për të inkurajuar punën e magjistraturës ka vlerë në vetvete, sepse respekton kompetencat dhe autonominë e këtij institucioni, si edhe shpreh besimin në kontributin që mund të japë në udhën e vështirë e të lodhshme në kërkim të së vërtetës e në vendosjen e drejtësisë me mjete njerëzore.
Ndoshta krahasimi është i guximshëm, por mund të mendohet se ashtu si konfrontimi me institucionet e jashtme të Moneyval ndihmon sigurisht të ecim në drejtimin e transparencës ekonomike e financiare, ashtu edhe pranimi më i madh i rolit të magjistraturës mund të ndihmojë sot transparencën dhe koherencën në fushën e komunikimit e të diskutimit të çështjeve të tjera, jo ngushtësisht kishtare.
Kontributi i magjistraturës pra, nuk mjafton për përballimin e të gjitha problemeve, por është serioz dhe impenjativ e mund të na ndihmojë të reflektojmë, nga një këndvështrim i ri, mbi besnikërinë ndaj institucioneve, që përdorin vlerën e besimit e të komunikimit konfidencial, atë të solidaritetit e të përgjegjësisë në shërbimin ndaj tyre.
Edhe kjo është një perspektivë, në të cilën mund të shohim vijën e ndjekur me vetëdije nga Ati i Shenjtë, i cili përcakton me largpamësi kohët e mënyrat e udhëheqjes së bashkëpunëtorëve të vet, në shërbimin ndaj Kishës, shërbim gjithnjë e më i frytshëm e ungjillor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.