2012-08-18 19:37:30

Njëqind vjet Pavarësi. Virtytet tradicionale të shqiptarit: Mikpritja dhe forca e Fesë


Shqiptari, edhe në kulmin e varfërisë, nuk ia ka mbyllur kurrë portën mikut, me bindjen se
Në mendje të tij, “shtëpia ishte e Zotit e e miqve”, prej këndej, kur dikush thërriste tek dera: “A do miq, o i Zoti i shtëpisë” ose “A je, o i zoti i shtëpisë”, ai, njohur pa njohur, natën a ditën, përgjigjej menjëherë: “Bujrum! Mirë se të ka prû Zoti!”, ia hapte menjëherë mikut derën, i printe te vatra e, sipas nevoje, e afronte pranë zjarrit, që të nxehej, i shtinte ujë për të larë këmbët, e nderonte me duhan, me kafe e me raki, i vinte para bukën me çka kishte në shtëpi, pa e pyetur fare as prej kah po vjen e as ku po shkon. Për më tepër, të nesërmen në mëngjes, ia mbushte trasten me bukë e djath e e e përcillte, në se ishte nevoja, me një njeri të vetin, deri në vendin, ku dëshironte të shkonte. Ndërkaq, në sa e përbunte mikun, i zoti i shtëpisë merrte mbi vete edhe mbrojtjen e jetës së tij. Po t’i ndodhte gjë e keqe në bukë të tij, ai e mbante si mik të prém dhe, pa asnjë ngurrim, qitëte pushkë për të. Prej këndej, një mori shprehjesh të urta popullore, ndërmjet të cilave edhe: “Ka mik e mik, për rrezik e çarranik”; “; “Miku do vetulla, jo petulla” e, mbi të gjitha, shprehja, që ka përballuar të gjitha stuhitë, dyndur mbi shqiptarin e miqtë e tij e që vijon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite, në të katër anët e trojeve shqiptare, në varfëri e në pasuri: “
Të gjitha virtytet, që kujtuam në këtë cikël, mbështeten fuqimisht mbi forcën e fesë, gjithnjë e pranishme në shpirtin e shqiptarit. Duhet pranuar se në këtë shpirt të thjeshtë, mësimet e fesë janë të cekta, por besimi në Zotin mbetet i patundur. Nëna e krishterë ua mëson fëmijëve uratët e para, që kur janë krejt të mitur, i merr me vete e e i çon bashkë me të tjerët në Meshë të katundit, i drejton, duke i porositur të mos bëjnë keq, të mos nëmin, të mos bëjnë be, të mos vjedhin, të mos përdorin fjalë të ndyra. Feja hyn në shpirtin e fëmijës më shumë përmes uratëve të përbashkëta, kremtimit të festave, nderimit për të vdekurit e doke e zakone të tjera, të ruajtura në shekuj të shekujve, edhe atëherë kur u bënë përpjekje për t’i zhdukur, si zakone prapanike e paragjykime. Shumë uratë e këngë të vjetra fetare shpëtuan nga ky sulm, duke u ruajtur gojë më gojë e, ndonëse disa prej tyre e kanë humbur kuptimin e janë pa asnjë vlerë, vijojnë të përsëriten me fe të gjallë. E është pikërisht kjo fe, të cilën shumëkush e konsideron primitive e tejet të thjeshtë, që e bën shqiptarin të ketë besim të pakufishëm në Zotin, t’i lutet për çdo nevojë e ta falënderojë për të gjitha të mirat. Për jetën, në radhë të parë. Kujtojmë se Kangët e famshme të Kreshnikëve, kryevepra të letërsisë sonë gojore popullore, nuk fillojnë kurrë duke iu lutur Zotit për ndihmë në çaste të vështira, por duke e falënderuar e duke e lavdëruar për dhuratën më të madhe, atë të jetës: “Lum e lum për të madhin Zot/ Nu’ jem kan’ e Zoti na ka dhanë!”.
Shprehjet familjare, që flasin për lidhjet e shqiptarit me Zotin, janë të panumërta. Ndër këngë, ndër bé, ndër premtime e ndër përshëndetje, përmendet gjithnjë e me besim të ngulur i madhi Zot
Ky besim shprehet edhe ndër kryqa të mëdhenj druri, që malësori shqiptar i vë për nderim në qafa malesh, në vende të vështira për pushim, në ballë të shtëpisë, në ara e në kopshte e, sidomos, në varreza. Ndër zonat e banuara nga shqiptarë të krishterë Kryqi është i pranishëm, parë edhe si stoli, në të katër anët: në mure, në rroba, arka, stola, e deri në duar e në kraharor, ku, sipas traditës, mbetej gjithnjë i pashlyeshëm, i vulosur me barut.
Të gjitha këto flasin për një besim të thjeshtë, por të ngulur në shpirt.
Shqiptari i traditës, në përgjithësi besimtar, duke mos e pasur kulturën e duhur fetare, u rrethua shpesh nga shumë bestytni, që e dëmtojnë jetën e tij. Fryt i padijes, besimet e kota duhen luftuar e duhen zhdukur. Në se bëhet fjalë për të ruajtur diçka prej tyre, kjo duhet parë vetëm në këndvshtrimin folklorik, duke i përmbledhur e duke i ruajtur si teprica fort të vjetra, që dëshmojnë lidhjet popullit shqiptar me popuj të tjerë tejet të lashtë .
Pëmblodhëm, në këtë cikël radiofonik, virtyte e vese të shqiptarit në rrjedhë shekujsh, për të parë ç’ka humbur, ç’mbeti e ç’mund të përtërihet, duke nxjerrë nga kujtesa e popullit të dhënat e domosdoshme për motmotet e ardhshme, që nuk mund ta dimë se ç’të reja do të na sjellin, sepse, thotë populli: “Ç' bjen motmoti e di veç Zoti”.








All the contents on this site are copyrighted ©.