Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të gjatë vitit kishtar “B”
Të nderuar dëgjues e lexues, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të
së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Liturgjinë Hyjnore
të Fjalës së Zotit të dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. ( Fjalët
e Urta 9,1-6; Ps 34(33); Ef 5,15-20; Gjn 6,51-58) Çdo të diele e çdo Meshë, momenti
i liturgjisë së Fjalës së Zotit është një tryezë në të cilën ushqehet feja jonë. Për
jetën tonë është e domosdoshme të ushqyerit jo vetëm me bukë materiale por me bukë
qiellore: ja ushqimi i Urtisë, që na ofron leximi i parë i Meshës së kësaj së diele,
nga Libri i Fjalëve të Urta (Fu 9,1-6); ushqimi i një feje ngazëlluese e jo materialiste,
siç sugjeron Shën Pali apostull në leximin e dytë të kësaj së diele marrë nga Letra
e tij drejtuar Efezianëve; e sidomos buka e gjallë e zbritur nga qielli që është Jezu
Krishti. Ungjilli i së dielës nga kreu i 6-të i Shën Gjonit (Gjn 6,51-58) na kujton
se, nëse nuk ushqehemi më Të (Krishtin), Fjalë e Bukë, ne do të vdesim. Një thirrje
të veçantë nga Liturgjia e Fjalës Hyjnore na drejtohet për të formuar familjen e
bijve të Zotit: “Ejani, hani bukën time, pini vërën që unë kam përgatitur!”. Janë
fjalë që i dëgjojmë e të cilat na japin domethënien e kremtimit të Eukaristisë, Meshës
së Shenjtë. Mos të harrojmë se nuk shkohet në Meshë për të marrë pjesë në ndonjë spektakël
fetar, por për të marrë pjesë në banketin e jetës së vërtetë që na ofron Krishti Zot.
Në Meshë nuk jemi spektatorë, por protagonist të një historie në të cilën Zoti na
ofron shpëtimin e përjetshëm, të gjithëve e falas. Për një besimtar izraelit të
përshpirtshëm, urtia është dhuratë që Zoti i bënë njeriut në mënyrë që ky të mund
t’i njeh misteret e jetës; për besimtarin e krishterë urtia është pjesëmarrje reale
në vetë jetën e Zotit. Të jesh i krishterë do të thotë të pranosh planin e jetës
që Zoti ofron: një projekt që është shumë i ndryshëm prej atyre që na ofron bota me
metoda e me kompromise të veta e të lehta. Të jesh i krishterë do të thotë të nënshkruash
aktin e besëlidhjes me Zotin që liron nga çdo robëri duke na çuar në shpëtim të përjetshëm.
Çdo Meshë që ne kremtojmë është një konfirmim e aktualizim i kësaj besëlidhjeje tone
me Zotin. Nëse jemi të pranishëm në Meshë, para elterit, nuk është për të përmbushur
në mënyrë pasive një detyrim, por për t’i thënë ‘po’ në e gëzueshme përgjigjes së
dashurisë që Zoti ka për ne. Ta konfirmojmë, ta pohojmë këtë besëlidhje duke i kërkuar
falje Zotit nëse ndonjëherë e kemi tradhtuar me mëkatet tona e përsëri ta ndjejmë
përqafimin e përdëllimit të Tij të pakufishëm. Pra, në Ungjillin e kësaj së diele
vijojmë me leximin e kreut të 6-të të Ungjillit të Shën Gjonit, e vijon fjalimi eukaristik
i Jezusit, si fill udhërrëfyes i teksteve liturgjike të kësaj së diele të XX gjatë
vitit kishtar, ciklit B. Kësaj herët figura mbizotëruese është ajo e thirrjes për
të marrë pjesë në banketin e përgatitur e të stolisur nga Urtia, personifikim i Dashurisë
e i Inteligjencës së Zotit në Besëlidhjen e Vjetër; në Besëlidhjen e Re, është realitet
subjektiv, historik, në personin e Fjalës së mishëruar, Jezu Krishtin, i cili na thërret
të ngrënim trupin e tij, ushqim i vërtetë, e të pimë gjakun e tij, pije e vërtetë,
për të pasur e fituar jetën e përjetshme. Fryt i këtij banketi është urtia e jetës,
sipas ligjit të Zotit, sipas shembullit të Krishtit, Udha, e Vërteta e Jeta. Liturgjia
e Fjalës së Zotit Leximi I Fu 9, 1-6
Të ftosh dikë për
drekë do të thotë të bashkëndash me të njëfarë miqësie. Me imazhin e drekës Hyji
shfaq afërsi me ne, të ftuarit e tij dhe shpall tryezën e Eukaristisë. Çdo Meshë
Shenjte ripërtërin ftesën për drekë me Hyjin.
Lexim prej Librit të
Fjalëve të urta
Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet dhe i latoi shtatë shtylla.
I kushtoi flitë e veta, e përzjeu verën dhe e shtroi tryezën e vet. I dërgoi shërbëtoret
e veta në qytezë, në vendet e larta për të grishur: “Kush është i papërvojë, le të
vijë tek unë!” e të pamendit i çoi fjalë: “Ejani, hani bukën time, pini verën që e
kam përzier për ju! Lëreni marrëzinë e jetoni dhe ecni udhëve të mençurisë!” Fjala
e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Psalmi 34 Përherë
do ta bekoj Zotin, Hyjin tim Përherë do ta bekoj Zotin, në gojën time
përherë është lavdi i tij.Shpirti im mburret në Zotin:le të dëgjojnë të përvujtët
e le të gëzohen.
Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij, s’u mungon gjë atyre
që e druajnë. Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, ata që kërkojnë Zotin do
të kenë çdo të mirë.
Ejani, o bij, e më dëgjoni: do t’jua mësoj frikën e
Zotit. A e dëshiron jetën, o njeri?A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat? Rrudhe
gojën tënde prej së keqes, gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare. Ik prej së
keqes e bëj të mirën, kërkoje paqen e ndiqe atë! Leximi II Ef 5,15-20 Ata
që janë zgjuar nga gjumi i mëkatit prej Krishtit, nuk mund të kenë një jetë si persona
të çrregullt. I krishteri është i ndriçuar nga dituria për të zgjedhur vullnetin
e Hyjit dhe i udhëhequr nga Shpirti Shenjt që shndërron të gjithë jetën në një falënderim.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve Vëllezër,
vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, të cilët
dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija. Prandaj mos jini të paarsyeshëm,
por dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit. Mos u dehuni me verë, në të cilën është
shfrenimi, por mbushuni me Shpirtin Shenjt. Thoni së bashku psalme, himne e këngë
të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja! Gjithmonë dhe për çdo
gjë falënderoni Hyjin Atë në emër të Zotërisë tonë Jezu Krishtit! Fjala
e Zotit. Falënderojmë Hyjin Aleluja. Aleluja.
Kush
ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, thotë Zoti, ai mbetet në mua dhe unë
në të. Aleluja. Ungjilli Gjn 6, 51-58 Sot do të
dëgjojmë pjesën e fundit të “diskutimit mbi bukën e jetës” të Jezusit. Pas protestave
të judenjve Ai ripohon realitetin e mrekullueshëm të dhuratës së tij hyjnore. Mishi
dhe gjaku i tij i komunikojnë njeriut jetën hyjnore dhe e shndërrojnë në një krijesë
të re. Ata që i afrohen Bukës së jetës pa u shtirur dhe jopër zakon e dinë se aty
gjendet përgjigjja e gjithë të qenit të tyre të krishterë. Leximi i
Ungjillit shenjt sipas Gjonit Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam
buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për
amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë
filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet
për ushqim?”. Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e
hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!
Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall
në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e
vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në
të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që
ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që
hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” Fjala
e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht
E tani më shumë mund
t’i dëgjojmë këtu leximet biblike e homelinë.........