2012-08-18 19:36:35

90 vjetori i Qendrës bamirëse pediatrike të Shën Martës në Vatikan. Ndihmon 360 familje.


360 familje, nga çdo anë e botës, të çdo feje e race, janë ndihmuar këtë vit nga Qendra bamirëse pediatrike e Shën Martës në Vatikan. Kjo strukturë, e drejtuar nga murgeshat “Bija të Bamirësisë së Shën Vinçenc de’ Paoli”, feston 90-vjetorin e themelimit të saj. Me të bashkëpunojnë edhe shumë vullnetarë. Numri më i madh i familjeve të ndihmuara këtë vit vijnë nga Amerika Latine dhe nga Afrika Veriore. 75 familje janë nga Peruja e 56 nga Ekuadori, të gjitha katolike, ndërsa nga Egjipti, si pasojë e ngjarjeve të “pranverës arabe”, kanë ardhur 27 të tjera, e nga Maroku, rreth 20, të gjitha myslimane. Pas tyre, rreth 15 familje rumunësh, dhjetë nga Libia e po aq nga Moldavia, Nigeria, Turqia dhe India.
Qendra pediatrike e Shën Martës u jep përkrahje psikologjike, ushqime e gjëra të tjera të nevojshme për jetën, sidomos ato të domosdoshme për fëmijët, si qumësht, pelena, ilaçe, karroca bebesh, veshje e lojra. Fëmijët kontrollohen periodikisht nga mjekët, së bashku me nënat e tyre. I gjithë Vatikani mobilizohet për t’i ndihmuar. Mjekët bëjnë pjesë në shoqatën e Shën Pjetrit e Shën Palit, që jep edhe një kontribut mujor. Pastaj, Banka ushqimore e Romës, drejtoria e shërbimeve ekonomike të Guvernatoratit të Vatikanit, Domus Sanctae Marthae, Bazilika e Shën Pjetrit… të gjithë bëjnë ç’është e mundur t’ua bëjnë jetën sa më të lehtë fëmijëve, t’i çojnë në shkollë vëllezërit e motrat e tyre më të rritura, të sigurohen se ata mund të luajnë e të argëtohen në oborrin e qendrës. Nuk mungojnë edhe pushimet verore, falë shtëpisë, vënë në dispozicion nga shoqata romake “Pro Fëmijërisë”.
Themeluar me bekimin e Papës Piu XI, të nesërmen e ditës së fundit të Luftës I Botërore, më 8 maj 1922, Qendra bamirëse pediatrike i detyrohet shumë një gruaje njujorkeze, Dula Dracek, aksioniste e një ndërmarrjeje, që prodhonte qumësht. Por pastaj, qenë Papët ata, që vazhduan ta financonin qendrën.








All the contents on this site are copyrighted ©.