2012-08-17 13:48:47

Njëqind vjet Pavarësi. Virtytet tradicionale të shqiptarit: Trimëria


Nuk janë malet e vrazhda as jeta e vështirë, që e bëjnë malësorin në veçanti, e shqiptarin, në përgjithësi, guximtar e të fortë. Është virtyti i trimërisë, që ia forcon zemrën, ia mbush syrin me shkëndija e shpirtin me guxim, aq sa të mos i trembet asnjë armiku, asnjë rreziku, as luftës, as gjakut, as vdekjes. Trimëria është virtyt, që ia mban njeriut moralin lart në çdo rast; e bën krenar, e nxit t’i besojë vetes, madje deri në tepri, t’i bëjë ballë çdo së keqeje, me çfarëdo fytyre t’i paraqitet në shtigjet e rrëpirta të jetës.
Trimëria shfaqet papritmas, jo ‘me të shtëna pushke”, por me qëndresë para vështirësive e vuajtjeve.
Kur trimëria lidhet me burrërinë, atëhere vlera e saj është shumë më e madhe. Dy virtyte bashkë bëhen mbrojtje për vete, për shtëpi e për vëllazëri.
Mjerisht ka ndodhur shpesh që trimëria, e zhveshur nga burrëria e urtia, në një hov zemërimi, i cili ia verbon mendjen edhe më trimit, ka zhytur në gjak jo vetëm dy tri shtëpi, por edhe mbarë fisin. “Trimi i mirë kurrë nuk ngutet/ prej urtisë e jo prej tutet”.
Në traditën shqiptare, fëmijët rriten që të vegjël me këtë virtyt, e jo vetëm djemtë, por edhe çikat. Gratë e maleve, e përgjithësisht gratë shqiptare, u shquan gjithnjë për trimëri. Nuk ua përtuan kurrë ngatërresave e fjalëve, edhe nëpër vringëllima taganash e nëpër flakë pushkësh. Kujtesa e popullit e skaliti trimërinë e tyre në rrëfenja, që përshkuajnë gra guximtare e trimëresha, të gatshme për të mbrojtur veten e trojet e veta, duke luftuar me këmesa e sopata, pa u trembur, e duke marrë pjesë edhe ndër lufta, krah për krah me burrat e vendit.
Shqiptari nuk i harron, e nuk duhet t’i harrojë bëmat e trimave e të trimëreshave të veta. I përmendë e i kujton me këngë, që i qet vetë e i përsërit me dëshirë në festa, në raste të gëzueshme e kurdoherë: duke bërë rrugë, në pushime me shoqëri e në çaste të tjera, kur kënga i jep zemër të përballojë edhe rreziqet më të mëdha. Këto këngë, të shoqëruara me lahutë, çifteli e edhe me fyell, janë të shumta e mbeten menjëherë në kujtesën e fëmijëve, që i mësojnë përmendësh pa mundim, duke bërë edhe efektin e dëshëruar, sepse secila prej tyre tregon edhe ngjarjen. E shpesh ngjarja është më e rëndësishme se vetë kënga. Po sjellim këtu, si shembull, përmbledhjen e Këngës së mirënjohur ‘Tringa’ nga “Lahuta e Malcís” e atë Gjergj Fishtës, duke u ndaluar shkurtimisht tek tregimi në prozë, që i paraprin, realizuar nga atë Daniel Gjeçaj:
“Natën Mark Milani rrethon Nokshiqin e páarmë. Ushtria shqiptare, nga Sutjeska, asht për rrugë kah pozicionet e reja. Në të zbardhun të dritës tetë taborre malazeze shpërthejnë sulmin mbi popullsínë e fshatit. Gjithkah ushtarë, që djegin kulla e kasolla, plaçkisin e vrasin; malazeze të ngarkueme randë me rraqe të grabituna; pleq e fëmijë, që ikin; shtasë të turituna, që marrin malin. Në gjith ketë mnerë e trishtim, vetëm një kullë e bardhë dy ketesh rrin në kambë e qetë dhe qet tim, si përherë, në heshtmin e agimit. Një vashë, që del në oborrin e shpisë dhe duket ma e hieshme se drita e agsholit, i tërhjek vërejtjen autorit... Asht e motra e Curr Ulë Keqotës, bíjë malsie, që në zemër ndryn virtytet mashkullore të votrës fisnike.
Tringë e ka emnin vasha, që jetën e rininë ia kushtoi të vetmit vllá, tash një vjetë në të shtrueme prej një varre me Shkjé. Ngjarja e soçme e gjên të smuetin në çasat e fundit. S'din kurrgjâ për çka asht tue ndodhë, sadoqë Tringa sheh mirë fatin, që e pret atê e vetin. Kjo don të shfrejë në váj, por diçka ia xên frymën. Kujdesi i të vllát, që po ia mbysin në shtrat të dekës, fati i saj robinë e e shnderueme, marrja që do t'u sjellte eshtënve të bekuem të dekunve, janë kujtimet që e ndrydhin. .. Ndërkaq zhurma e vigma e anmikut ndihet përherë e ma afër... E vasha, tue i lypë Zotit ndihmë e të falun, rrokë hutën dhe del te dera. Gjuro Kokoti me një çetë Shkjé hudhet kah ajo për ta kapë me dorë. Vasha sokoleshë kthen hutën, hjek gisht, si burrë, dhe shkjau rrëxohet brîs. Fishkullojnë për rreth novicat malazeze. Tringa shtjen fishekun e dytë dhe merr të tërhjekë. Një plumb mizuer ia lkuqë ballin e gjanë dhe bija shqiptare, lá në gjak, rrxohet te praku i derës, por Shkjevet s'u bjen në dorë”.
Fjalë të urta për Trimërinë
Trimëria e kthen plumbin mbrapsht.
Trimi e ka me vete fatin.
Trimin vraje, po mos e shaj.
Trimi s’ka dy faqe.
Trim nuk i thonë çdo mashkulli.
Trimi nuk flet me dy gjuhë.
Trimi s' koritet për një lugë gjak.
Trimi nuk lidhet për ushkuri.Trimi s’i liron ushkurët.
Trimi i mirë me shokë shumë.Trim është ai që fal gjak, jo që merr hak.







All the contents on this site are copyrighted ©.