2012-08-17 13:50:14

Mesazh për fundin e Ramazanit: të rinjtë e krishterë e myslimanë, lajmëtarë të paqes e të drejtësisë


Nesër, më 18 gusht, myslimanët e gjithë botës festojnë fundin e Ramazanit. Dita e parë e Fitër Bajramit është të dielën. Për të përgatiten edhe besimtarët shqiptarë, të cilëve u urojmë “Gëzuar festën”. Me këtë rast, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar u drejton të gjithë myslimanëve të botës një mesazh, këtë vit, mbi temën e edukimit të të rinjve në drejtësi e në paqe.
Edukimi i të rinjve është punë e bukur, por edhe e vështirë, vihet në dukje në mesazh. Kjo detyrë i besohet krejt shoqërisë, në veçanti, prindërve dhe shkollës, pa harruar përgjegjësit e jetës fetare, kulture e shoqërore. Në tekstin e nënshkruar nga kryetari i dikasterit vatikanas, kardinali Zhan-Lui Turan, theksohet se duhen “ndihmuar të rinjtë të zbulojnë e të vlerësojnë pasuritë, që u ka besuar atyre Krijuesi, të marrin përsipër përgjegjësinë e marrëdhënieve personale e të formohen me vlera si drejtësia e paqja”.
Për besimtarët e të gjitha feve, vazhdon mesazhi, drejtësia e vërtetë e ka bazën në faktin se të gjithë njerëzit janë krijuar nga Zoti për të formuar një familje të vetme. Fryti i drejtësisë dhe efekti i bamirësisë është paqja, e cila nuk është thjesht “mungesë lufte, as ekuilibër ndërmjet forcave të kundërta, por është njëkohësisht dhuratë e Zotit e vepër e njeriut, për t’u ndërtuar pa pushim. Duke vënë në jetë ndjenjat e mëshirës, të solidaritetit, të bashkëpunimit e të vëllazërimit, besimtarët, lexohet më tej në mesazh, mund të përballojnë me vendosmëri e me më tepër forcë shpirtërore, sfidat e botës së sotme: rritjen e harmonishme, zhvillimin e gjithanshëm, parandalimin e zgjidhjen e konflikteve”. Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar dëshiron t’i inkurajojë të rinjtë myslimanë e të krishterë të punojnë gjithmonë për të vërtetën e për lirinë, pa kompromis, për t’u bërë lajmëtarë të vërtetë të drejtësisë e të paqes e nxitës të një kulture, që respekton të drejtat e dinjitetin e çdo qytetari.







All the contents on this site are copyrighted ©.