2012-08-17 13:54:55

Mesazh i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar në fund të Ramazanit


Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar

Mesazhi për mbarimin e Ramazanit
‘Id al-Fitr 1433 H. / 2012 A . D.

Edukimi i të rinjve të krishterë e myslimanë në drejtësi e paqe
Qytet i VatikanitTë dashur miq myslimanë,
1. Kremtimi i ‘Id al-Fitr, që mbyll muajin e Ramazanit, na ofron një rast gëzimi për t’ju përçuar urimet e përzemërta të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.
Gëzohemi me ju për këtë kohë të privilegjuar që ju mundëson, përmes agjërimit e praktikave tjera të përshpirtshme, thellimin e besimit ndaj Hyjit, vlerë kjo po aq e dashur edhe për ne.
Për këtë arsye, edhe sivjet, na u duk rast i volitshëm ta përqendronim reflektimin e përbashkët mbi temën e edukimit të të rinjve të krishterë e myslimanë në drejtësi e paqe, që janë të pandashme nga e vërteta dhe liria.
2. Siç e dini, detyra e edukimit i është besuar mbarë shoqërisë, para se gjithash e veçanërisht, ajo është detyrë e prindërve e, me ta, e familjeve, e shkollave dhe e universiteteve, pa harruar këtu përgjegjësit e jetës fetare, kulturore, shoqërore, ekonomike e të botës së komunikimit shoqëror.
Është fjala për një nismë të bukur e të vështirë njëkohësisht: t’i ndihmosh fëmijët e të rinjtë t’i zbulojnë e vlerësojnë pasuritë, që Krijuesi ua ka besuar atyre e të marrin përsipër përgjegjësinë për marrëdhëniet njerëzore. Duke iu referuar detyrës së edukatorëve, Shenjtëria e Tij Papa Benedikti XVI kohëve të fundit ka pohuar: “Për këtë janë më shumë se kurrë të domosdoshëm dëshmitarët e vërtetë, e jo shpërndarësit e rregulloreve e të informatave...Dëshmitar është ai që e jeton dhe mishëron i pari udhën që propozon për të tjerët” (“Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes” 2012). Duam të kujtojmë, më tutje, se edhe vetë të rinjtë janë përgjegjës për edukimin personal si dhe për formimin në drejtësi e në paqe.
3. Drejtësia përcaktohet para se gjithash nga identiteti i personit njerëzor, konsideruar në tërësinë e vet; ajo nuk mund të reduktohet në përmasën komutative e distributive. Mos të harrojmë se e mira e përbashkët nuk mund të arrihet pa solidaritet e dashuri vëllazërore! Për besimtarët, drejtësia e vërtetë, e jetuar në miqësi me Hyjin, thellon marrëdhëniet me vetveten, me të tjerët e me mbarë krijimin. Përveç kësaj, ata dëshmojnë se drejtësia e ka zanafillën në faktin që të gjithë njerëzit janë të krijuar nga Hyji e janë të thirrur të formojnë një familje të vetme. Një këndvështrim i tillë, që respekton plotësisht arsyen dhe ia hap dyert transhendencës, përfshin edhe të gjithë burrat e gratë vullnetmirë, duke mundësuar gërshetimin e harmonishëm të të drejtave e të detyrave.
4. Në botën e shqetësuar e të munduar në të cilën jetojmë, edukimi i të rinjve në paqe bëhet përherë e më urgjent. Për t’i impenjuar në mënyrë sa më të përshtatshme, duhet kuptuar natyra e vërtetë e paqes që nuk kufizohet në mungesën e luftës, as në drejtpeshimin e forcave kundërshtare, por është njëkohësisht dhuratë e Zotit e vepër njerëzore, për t’u ndërtuar pareshtur. Ajo është fryt i drejtësisë dhe rezultat i dashamirësisë. Është me rëndësi që besimtarët të jenë përherë aktivë në gjirin e bashkësisë ku janë anëtarë: duke vënë në jetë mëshirën, solidaritetin, bashkëpunimin e vëllazërimin, ata mund të kontribuojnë në mënyrë pozitive në pranimin e sfidave të çastit të kohës sonë: rritja e harmonishme, zhvillimi integral, parandalimi e zgjidhja e konflikteve, për të cituar vetëm disa prej tyre.
5. Në përfundim, dëshirojmë t’i inkurajojmë të rinjtë myslimanë e të krishterë që duan ta lexojnë këtë mesazh, të kultivojnë të vërtetën e lirinë, për të qenë bartës e lajmëtarë të drejtësisë e të paqes dhe ndërtues të një kulture, që respekton të drejtat e dinjitetin e çdo qytetari. Ata i ftojmë të kenë durim e qëndresë në realizimin e këtyre idealeve, pa kaluar kurrë në kompromise të dyshimta, rrugë të shkurta mashtruese apo mjete, që e respektojnë pak qënien njerëzore. Vetëm burrat e gratë, sinqerisht të bindura për këto kërkesa e nevoja, do të mund të ndërtojnë një shoqëri, ku drejtësia e paqja të bëhet realitet.
Zoti i mbushtë me qetësi e shpresë zemrat, familjet e bashkësitë e atyre që ushqejnë dëshirën për të qenë ‘mjete të paqes’!.
Gëzuar festën të gjithëve”
Kardinali Jean-Louis Tauran
Kryetar
Kryeipeshkvi Pier Luigi Celata
Sekretar







All the contents on this site are copyrighted ©.