Mesazh i Papës për një shoqatë polake, që mbron jetën: të ndihmohen çiftet në vështirësi
Papa Benedikti XVI u ka dërguar një mesazh pjesëmarrësve të Shtegtimit të 301-të në
këmbë nga Varshava në shenjtëroren e Çestokovës, zhvilluar me rastin e 25-vjetorit
të nismës me emër “Vepra për birësimin shpirtëror të fëmijës në bark të nënës”. Kjo
nismë ka të bëjë kryesisht me lutje, që vazhdojnë për nëntë muaj rresht e që kanë
për qëllim të mbrojnë jetën e fëmijës së palindur. Në mesazhin e lexuar dje nga
kryeipeshkvi i Varshavës, kardinali Kazimierz Nycz, Ati i Shenjtë vlerëson njerëzit
e impenjuar në këtë nismë, të cilët bëjnë ç’është e mundur për të mos lejuar abortin,
ose për t’u bërë ballë kërcënimeve të tjera kundër jetës. Benedikti XVI uron gjithashtu,
që të shtohet ndihma shpirtërore për fëmijët, të cilëve u kërcënohet jeta dhe, të
përkrahen çiftet në vështirësi e familjet e sprovuara nga drama e abortit. Tema e
25-vjetorit të Veprës është “Kisha – shtëpi e jetës” e Papa shpreson që reflektimi
për këtë tematikë të jetë rast për thellimin e lidhjeve personale e komunitare me
Krishtin, parë në çdo fëmijë në bark të nënës.