2012-08-15 16:01:22

Papa në Engjëllin e Tënzot: në Marinë kundrojmë lumninë, që na pret.


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, Papa vijoi refkletimin për festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, që kremtohet në zemër të muajit gusht, si në Kishat e Lindjes, ashtu edhe në ato të Perëndimit. Kremtimi, me rrënjët thellë në historinë e fesë e të kultit të shekujve të parë të Kishës, buron nga devocioni për Nënën e Zotit, që u përhap me shpejtësi në të gjitha bashkësitë e krishtera.

Që nga shekulli IV e fillimi i shekullit V, vërejti Papa, kemi dëshmi të autorëve të ndryshëm, që pohojnë besimin se Maria është në lumninë e Hyjit me gjithë vetveten, me korp e me shpirt, por festa ndërroi pamje e u quajt e ‘dremitjes’; e ‘përgjumjes’, e ‘kalimit’ e ‘Ngjitjes së Nënës së Zotit, Theotòkos’, në qiell, vetëm në shekullin VI, duke nisur nga Jeruzalemi e duke u përforcuar me Koncilin e Efezit, në vitin 431. Nisi që asokohe të kremtohet si çasti kur Maria doli nga skena e kësaj bote, e lumnuar me korp e shpirt në Qiell, në Hyjin.

Papa nënvizoi, pastaj, se për ta kuptuar Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, duhet të kujtojmë Pashkët, Misterin e madh të shëlbimit tonë, që shënon kalimin e Jezusit në lumninë e Atit, përmes mundimeve, vdekjes e ngjalljes. Maria, në gjirin e së cilës u mishërua Biri i Hyjit, është krijesa më e shkrirë në këtë mister, e shëlbuar që në çastin e parë të jetës, e bashkuar në mënyrë të pashoqe me mundimet dhe lumninë e Birit të vet. Të ngjiturit e Zojës së Bekuar në Qiell është edhe mister i Pashkëve të Krishtit, realizuar plotësisht në Marinë. Ajo është ngushtësisht e bashkuar me Birin e saj të ngjallur, ngadhënjimtar mbi mëkatin e mbi vdekjen, e njëjtësuar me Të. Por Ngjitja në Qiell është një realitet, që na përket edhe ne, sepse na tregon qartë fatin tonë, fatin e njerëzimit e të gjithë historisë së tij. Në Marinë kundrojmë pikërisht këtë realitet lumnimi, për të cilin është i thirrur secili nga ne, e mbarë Kisha.
Më pas Papa vërejti se fragmenti i Ungjillit të Shën Lukës, që lexojmë në liturgjinë e këtij solemniteti, na bën ta shikojmë rrugën që përshkoi Viurgjëra Mari për t’u lartuar në lavdinë e Zotit. Është rrëfim ungjillor për vizitën e Marisë tek Elizabeta (cfr Lk 1,39-56) në të cilën Zoja quhet e bekuar mbi të gjitha gratë. E bekuar, sepse besoi në përmbushjen e fjalëve të Zotit. E në këngën “Zemra ime madhëron Zotin” (Magnificat), që Vasha e Nazaretit i larton Hyjit, duket qartë feja e saj e thellë. Ajo e radhit veten ndërmjet të varfërve e të përvuajturve, që nuk mbështeten mbi forcat e veta, por lëshohen plotësisht në dorë të Zotit, ia lënë shtegun hapur, që të kryejë vepra të mëdha, në ligështi. Zoja e Ngjitur në Qiell na kujton ardhmërinë e ndritshme, që na pret, por edhe na fton t’ia besojmë më shumë vetveten Zotit, t’ia dëgjojmë Fjalën, ta kërkojmë e të bëjmë çdo ditë vullnetin e tij: është kjo udha, që të bën të lum në shtegtimin tokësor e të hap edhe portat e Qiellit.
Papa kujtoi edhe pohimin e Koncilit II të Vatikanit: “Maria e ngjitur në qiell, me ndërmjetësimin e saj të gjithanshëm, vijon të na nxjerrë nga Zoti hirin e shëlbimit të amshuar. Me dashurinë e saj amtare kujdeset për bijtë e Birit, që vijojnë shtegtimin ndërmjet rreziqesh e mjerimesh, derisa të arrijnë në atdheun e lum” (Lumen gentium, 62). E më pas, Papa iu lut Virgjërës Mari të jetë yll për hapat tonë, të na prijë drejt takimit me Birin e saj, në shtegtimin për të arritur në lumninë e Qiellit, në gëzimin e pasosur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.