2012-08-15 15:01:46

Lutja e ipeshkvijve francezë në Festën e Të Ngjiturit ë Zojës në qiell 2012


Në këtë ditë, kur kremtojmë Zojën e Ngjitur në Qiell, që Franca e zgjodhi si Pajtore, t’ia paraqesim Zotit, me ndërmjetësimin e Nënës sonë qiellore, lutjet plot besim për vendin tonë:

1. Në këtë kohë krize ekonomike shumë nga qytetarët tanë janë viktima kufizimesh nga më të ndryshmet dhe e shikojnë me shqetësim të thellë ardhmërinë: të lutemi për ata, të cilët kanë pushtetin të marrin vendime për të sotmen e të nesërmen, e t’i kërkojmë Zotit të na bëjë më bujarë në solidaritetin për të afërmit.

2. Për ata, që u zgjodhën kohët e fundit si ligjvënës e qeveritarë, t’i lutemi Zotit t’ua shndrisë mendjen e zemrën për t’i vënë interesat e mbarë shoqërisë, mbi interesat personale e t’u japë forcë të dëgjojnë zërin e ndërgjegjes!

3. Për familjet, të lutemi, që shoqëria t’ua realizojë pritjet e ligjshme për ndihmë; që anëtarët e tyre ta mbështesin njëri-tjetrin me besnikëri e dashuri gjatë gjithë jetës, posaçërisht në çaste të dhimbshme. Që bashkëshortët të mos ia kursejnë ndihmën njëri-tjetrit, duke u bërë, kështu, shembull dashurie e besnikërie për fëmijët e tyre.

4. Të lutemi për fëmijët e të rinjtë, që t’i ndihmojmë të zbulojnë shtegun drejt lumturisë; të mos bien viktima të dëshirave e të konflikteve të të rriturve e ta gëzojnë plotësisht dashurinë e një ati e të një nëne.

O Zot, Hyji ynë, ne po e lëshojmë ardhmërinë e vendit tonë në duart tua. Me ndërmjetësimin e Zojës, Pajtores sonë, na jep guximin të zgjedhim rrugët më të mira të jetës për të gjithë e hirin që rinia jonë të lulëzojë në gjirin e familjeve të forta e besnike.

Nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.