2012-08-15 15:01:32

Ipeshkvijtë francezë ripropozojnë Lutjen për Francën drejtuar Zojës së Bekuar


Me rastin e Solemnitetit të Zojës së Madhe, ipeshkvijtë francezë i ftojnë katolikët t’i luten së Shenjtnueshmes Virgjër Mari për Francën e në veçanti për viktimat e krizës ekonomike, për qeveritarët, për familjet e për të rinjtë. Një zakon i lashtë, që e ka zanafillën në vitin 1648, por francezët e lanë mënjanë pas Luftës II Botërore. Mbi domethënien e kësaj lutjeje, të dëgjojmë imzot Bernard Podvin, zëdhënësin e ipeshkvijve francezë:RealAudioMP3
Është lutje me kuptim shumë të thellë, që bën pjesë në një traditë të lashtë shpirtërore: edhe shën Pali Apostull na ftonte të lutemi për ata, që na udhëheqin e për popullin. Kjo traditë ka vazhduar në shekuj. Ipeshkvijtë e Francës menduan ta gjallërojnë sërish.
Të lutemi për Francën… Dikush shkruan se ipeshkvijtë po u dalin përpara disa vendimeve legjislative të rëndësishme, duke i marrë me të mirë politikanët…
Ipeshkvijtë janë barinjtë e të gjithëve e kur propozojnë lutje nuk bëjnë llogari. Natyrisht, ipeshkvijtë janë të shqetësuar për vendimet që do të merren, pasi ato kërkojnë të shoshiten mirë çështjet. Si të mos ia besojmë gjithçka Marisë, që është Nëna e Zotit e Nëna e njerëzve? Kemi të bëjmë me vendime për fundin e jetës e për familjen. Flitet për projekte martesash ndërmjet homoseksualëve, me mundësi adoptimin e fëmijëve. Gjendja është serioze dhe ipeshkvijtë janë jashtëzakonisht të shqetësuar. Por, para së gjithash, është e nevojshme t’i kërkojmë Zotit të na shndrisë mendjen, të na rrezatojë me dritë shpirtërore. Në thirrjen e tyre, ipeshkvijtë kërkojnë që të gjitha vendimet, duke u nisur nga këto që thamë, e deri në qëndrimin ndaj viktimave të krizës e ndaj Sirisë, të respektojnë njeriun. Është thirrje që vjen nga zemra, thellësisht shpirtërore; i drejtohet krejt bashkësisë, që të mblidhet nën forcën e Hirit të Zojës.








All the contents on this site are copyrighted ©.