2012-08-15 15:01:06

Festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell: jeta nuk asgjësohet, na pret dashuria e pafundme e Zotit.


Maria na tregon se jeta jonë nuk përfundon në asgjë, por në fund të fundit na pret Zoti, me dashurinë e tij të pambaruar: këtë theksoi Papa gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot paradite në famullinë e Shën Tomës së Vilanovës, në Kastel Gandolfo, me rastin e solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell.RealAudioMP3

“Maria, si e kreu shtegtimin e jetës së vet mbi tokë, u ngjit në lumninë qiellore me korp e me shpirt”: kështu, më 1 nëntor 1950, Papa Piu XII shpallte dogmën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Është një e vërtetë feje, shpjegoi Benedikti XVI, që na tregon se në Zotin ka hapësirë për njeriun. E Maria, vijoi, duke u bashkuar me Zotin, nuk largohet nga ne, nuk shkon në një galaktikë të panjohur, por bëhet edhe më e afërt me të gjithë ne, me secilin nesh. Zemra e saj bëhet edhe më e madhe, për të na zënë të gjithë:
“Maria, e bashkuar plotësisht me Zotin, ka një zemër aq të madhe, sa të zërë gjithë Krijesën, gjë që e dëshmojnë dhuratat kushtore, të cilat e rrethojnë në të katër anët e botës. Maria është afër, mund të na ndihmojë, është pranë të gjithëve, e ka një zemër aq të gjerë, sa vetë zemra e Zotit”.
Në Zotin ka gjithnjë hapësirë për njeriun, por edhe në njeriun ka hapësirë për Zotin:
Në ne ka hapësirë për Zotin e kjo prani e Zotit në ne është tejet e rëndësishme për të ndriçuar botën e zhytur në trishtim, në probleme; kjo prani realizohet në fe. Në fe i hapim portat e shpirtit tonë, që Zotit të hyjë brenda nesh, si forcë, që jep jetë. Duke ia hapur zemrat Zotit, nuk humbasim asgjë. Përkundrazi, jeta jonë bëhet shumë më e pasur, shumë më e madhe”.
Papa kujtoi se sot qarkullojnë shumë ide, që ngjallin shpresa, të rreme e të vërteta, për ndërtimin e një bote më të mirë. Këtë botë njerëzimi e pret prej shekujsh, e dëshiron, e shpreson:
Në se e kur do të vijë kjo botë më e mirë, nuk e dimë, nuk e di. Veç e di me siguri se një botë, që largohet nga Zoti, nuk bëhet më e mirë, por më e keqe. Vetëm prania e Zotit mund të garantojë edhe një botë më të mirë”.
Të gjithë njerëzit jetojnë me shpresë, por të krishterët kanë shpresën më të sigurtë:
“Zoti na pret, na ndjek me vëmendje, ne nuk humbasim në zbraztësi, pritemi. Zoti na pret e, duke kaluar në botën tjetër, gjejmë mirësinë e Nënës, gjejmë njerëzit tanë, gjejmë Dashurinë e amshuar, Zoti na pret: ky është gëzimi ynë e kjo shpresa, që lind pikërisht nga kjo festë”.Maria, tha në përfundim Papa, është gëzimi i jetës sonë, është ngushëllim e shpresë për shtegtimin tonë tokësor:

“T’ia besojmë vetveten ndërmjetësimit të saj amëtar, që të na nxjerrë nga Zoti hirin e forcimit të besimit tonë në jetën e pasosur; të na ndihmojë ta jetojmë mirë kohën, të cilën Zoti na e jep plot me shpresë. Shpresë e krishterë, që nuk është vetëm mall për Qiellin, por dëshirë e gjallë e vepruese për Zotin këtu, në këtë botë; dëshirë për Zotin, që na bën shtegtarë të palodhur, duke na mbushur me guximin e forcën e fesë, njëkohësisht edhe guxim e forcë e dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.