“50-vjetori i Koncilit II të Vatikanit është edhe një rast i përshtatshëm për të forcuar
lidhjet ndërfetare”. E thekson këtë një nga specialistët më të mëdhenj në fushën e
marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, filozofi Khaled Fouad Allam. E
intervistuam.
Pyetje: - Profesor, a e shikoni Koncilin si shkollë për
ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar?
Përgjigje: - Koncili
II i Vatikanit vuri bazat edhe për dialogun me botën myslimane. Sigurisht në vitet
’60 periudha ishte pak a shumë e dalldisur, sepse pjesa më e madhe e botës myslimane
kishte nisur dekolonizimin, çlirimin e, prej këndej, po fitonte dhe lirinë politike.
Duhej të ndiqte, prandaj, edhe udhën e çlirimit nga keqkuptimet ndërmjet botës së
krishterë e asaj myslimane. Kemi një brezni të tërë studiuesish të Islamit e myslimanësh,
që dhanë ndihmesën e tyre në thellimin e njohjes së Islamit, në një drejtim të dyfishtë,
si në drejtim të botës së krishterë, ashtu edhe të asaj myslimane, në një epokë kur
përqindja e analfabetizmit në vendet myslimane ishte jashtëzakonisht e lartë. Mund
të citoj islamologun Muhammed Arkoun, që vdiq dy vjet më parë, me origjinë algjeriane;
islamologun, më se tetëdhjetë vjeç, Muhamed Talbi, të cilit dy vjet më parë iu dorëzua
çmimi Agnelli.Ne e kemi për detyrë të japim ndihmesën tonë në këtë drejtim,
duke mos e ndarë historinë nga kujtesa. Islami është histori për orientalistët e njerëzit
e ditur, por nuk mund të themi se është edhe kujtesë, që u përket të gjithëve. Të
krishterë e myslimanë mbeten të largët, pavarësisht nga afërsia gjeografike. Më pëlqen
të përsëris se nga Palermo në Tunizi mund të shkohet me avion për një gjysëm ore.
Afër gjeografikisht, por jo shpirtërisht. E kjo është reciproke. Bota myslimane duhet
të bëjë përpjekje edhe për ta parë perëndimin me një sy tjetër, jo si burim të të
gjitha të këqijave. E për këtë, duhet punuar në thellësi. Duhet të rikthehet edhe
te kujtesa, kujtesa kulturore, sepse nuk mund të mohohet kultura greko-romake, ajo
e krishterë, hebraike e deri tek Islami në Azi, pa harruar edhe lidhjet ndërmjet Islamit
e Budizmit. Një islamolog i madh japonez, Toshihiko Izutsu, qe i pari që, 50 vjet
më parë, ua kujtoi të gjithëve këto lidhje. Që na sjellin në mendje pamjen katastrofike
të rrënimit të Budave në Afganistan.
Pyetje: - Mendoni se ndeshja
ndërmjet qytetërimeve është e pashmangshme?
Përgjigje: - Në
kohë krize si kjo, që po jetojmë aktualisht e që besoj se nuk është thjesht krizë
ekonomike, por edhe krizë qytetërimesh, duhet menduar si do të funksionojnë shoqëritë
në vitet e ardhshme, në të cilat druhem se të krishterët e myslimanët mund ta shikojnë
njëri tjetrin si desh kurbani. Atentatet e kohëve të fundit kundër të krishterëve
në Egjipt, janë shenja të këqija; e atentati i Tuluzës, i kryer nga një franko-algjerian,
anëtar i Al-Kaedës, që vrau një rabin, nxënësit e shkollës së tij hebraike dhe disa
ushtarë francezë, me origjinë magrebine, në një fazë si kjo, rrezikon të krijojë
një atmosferë frike, e dhe stereotipin e armiqësisë ndaj tjetrit. Një stereotip i
tillë, kur del jashtë kontrolli, mund të shkaktojë katastrofa të vërteta. Të sjell
në mendje atë, që ndodhi jo larg nga Trieshte, luftën në ish-Jugosllavi. Rreziku
qëndron pikërisht në kalimin nga fajësia individuale, në atë kolektive. E luftërat
lindin pikërisht mbi këtë bazë.
Pyetje: - A ekziston islami i ‘moderuar’?
Përgjigje:
- Ajo, që spikat në botën myslimane, është varfërimi kulturor i breznive
të reja, edhe për faktin se i përkasin partive fetare. E kemi harruar edhe raportin
e parë të UNDP (Organizëm i Kombeve të Bashkuara), botuar në vitin 2001 për demokracinë
në botën arabe, në të cilin specialistët me origjinë arabe e jo, nënvizonin regresin
e kësaj bote në planin shoqëror e kulturor. Në vitin 2001 përkthehej në mbarë botën
arabe. Mbetej pa përkthyer vetëm në Korenë e Veriut.Kemi nevojë të themelojmë
rishtas një lloj pakti intelektualësh; e kam fjalën për realizimin e botimeve kritike,
që t’i hapet rruga lirisë së shprehjes. Në agimin e pranverës arabe, më duket e nevojshme
të nënvizoj se demokracia pa liri, është si vazo lulesh, pa ujë. Lëri lulet pa ujë
e pak nga pak do të vyshken e do të thahen. Edhe atje roli i intelektualit është tejet
i rëndësishëm. Por atje, ndryshe nga perëndimi, sepse këtu gjej intelektualë gjithnjë
më të mbyllur në vetvete, të tërhequr nga çdo fushë. E kur kthehem në botën arabe,
ajri që thith është tjetër; intelektuali ka vetëdijen se është bashkëpjesëtar i fatit,
jo vetëm të historisë së tij, por edhe të kombit të tij , ndërsa për fat të keq, shikoj
shpesh intelektualë perëndimorë pasivë, fare të zhgënjyer.
Pyetje:
- Sa ndikon globalizimi?
Përgjigje: - Vetë globalizimi,
pavarësisht nga kusuret e veta, na detyron të njihemi reciprokisht, sepse globalizimi
krijon rrethanat e jetës së përbashkët. E jeta e përbashkët kërkon edhe aftësi për
të komunikuar. Unë u jap mësim edhe studentëve amerikanë në Stanford e çdo vit i pyes
për origjinën: 90% kanë lindur nga martesa të përzjera; dikush e ka nënën me origjinë
iraniane e babain me origjinë irlandeze; tjetri, nënën italiane, babain me origjinë
latino-amerikane etj. etj.. Po kjo nuk është vetëm çështje martesash të përzjera.
Kjo kërkon studim, njohje, riformulim të origjinës. Bën pjesë në ndërlikimet e jetës
sonë të sotme, po ne nuk po e fitojmë ende vetëdijen, nuk po e fitojmë!