2012-08-13 11:38:05

Njëqind vjet Pavarësi. Virtytet tradicionale të shqiptarit: Burrëria


“Burrëria” në jetën e përditshme të shqiptarit është shprehje e shumë virtyteve të domosdoshme për të marrë pjesë në shoqëri e për t’i shërbyer asaj. Sipas traditës Burrë është njeriu zemërgjerë, i cili i fal fyerjet që i bëhen me fjalë a me vepra, duke pasur aq urti, sa të mos e çojë punën më gjatë, në sa kërkon zgjidhjen më të arsyeshme e më të ndershme.
Burrë është ai, që e mund vetveten, e zotëron zemërimin që i ndizet në sy e egoizmin, që i vlon në gjak. Ai që nuk shtyhet në fjalë e ngatërresa. Tregohet bujar, duke u dhënë të tjerëve këshilla, krah, lëmoshë, duke pritur e duke përcjellë bujarisht miq e armiq, të njohur e të panjohur, duke u përpjekur të sigurojë jo vetëm jetën e vet, por edhe të të tjerëve.
Burrëria ka një kuptim të gjerë e shumanshëm në gjuhën shqipe. Shikohet si pika kryesore e takimit të shqiptarit me botën, që e rrethon, domethënë, përfshin gjithë jetën shoqërore. Mjafton të kujtojmë përshëndetjen kryesore të malësorit: "A je burrë!”, për të gjetur në të, gjithë shprehjen e dinjitetit njerëzor, për të cilin sot, kur ka pak burrëri e shumë mburrje, flitet aq shumë.
Kjo përshëndetje, në gjuhë të vdekura e të gjalla, është e papërkthyeshme. Madje duket krejt pa kuptim e deri qesharake. Por shqiptari përmbledh në të gjithçka mund të ketë e mund të veprojë një mashkull i rregullt. Domethënë përmbledh qëndresën, bujarinë, guximin e çdo virtyt njerëzor, që e bën burrin burrë e gruan, burrëreshë.
Burrë nuk është vetëm ai, që nuk i trembet syri përballë armikut: për këtë sjellje shqipja përdor fjalën ‘trimëri’.
Burrë është ai, që zotëron vetveten, që nderon vetveten e të tjerët, që pret me qetësi e durim të papriturat e rreziqet, që nuk përkulet para kërcënimeve, që nuk thyhet para asnjë premtimi të rremë.
Burri i del gjithnjë zot, atij që i bie ndore.
Nuk ia zë frymën të ligshtit, kur e rrëfen vetë ligështinë e vet.
Mbron të drejtat e veta e të shokut.
Del në kushtrim, sa herë që ka nevojë shoku, lagjja, fshati, bajraku, kombi!
Burrëria e ka bërë shqiptarin të jetojë varfërisht nëpër male e nëpër shpella.
Pa burrëri, nuk mund të ketë nder, as guxim!
Burrëria përmbledh edhe kuptimin burrëreshë!
Prej këndej fjalët e urta:
Burri s’ matet me pëllambë, matet me nder!
Burri, kur jep fjalën, ther djalën!
Burrin e rref fjala, magjarin e rreh shtaga!
Burri lidhet për fjale, kau për brinash!Burrit të fortë i druhet pushka e varur.








All the contents on this site are copyrighted ©.