Ndeshje në Damask e Haleb. Shtyhet mbledhja e Lidhjes Arabe për Sirinë
Tjetër ditë ndeshjesh në Siri. Kreu i vëzhguesve të OKB-së flet për “dhunë në rritje
në shumë zona të vendit, për shkak të të dyja palëve në konflikt”. Opozita denoncon
se gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë mëse 100 vetë. Vatrat kryesore të luftës mbeten
Damasku dhe Halebi. Në kryeqytetin sirian, ushtria vazhdon të bombardojë pozicionet
e rebelëve dhe t’i arrestojë. Nga ana e tyre, kryengritësit deklarojnë se kanë hedhur
poshtë një avion qeveritar. Vazhdojnë edhe dezertimet nga radhët e regjimit. Sekretari
i përhershëm sirian në selinë e OKB-së në Gjenevë kaloi me opozitën. Ndërkaq, u shty
në një datë të pacaktuar mbledhja e Lidhjes Arabe, e cila dje duhej të emëronte algjerianin
Brahimi si të dërguarin e vet në Siri, pas dorëheqjes së Kofi Annanit.