Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës të “Të ngjiturit të Zojës në Qiell”.
Ja në takimin tonë me Fjalën e Zotit e kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku
leximet biblike të solemnitetit të sotëm të të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në
Qiell me trup e me shpirt. Të nderuar dëgjues e vëllezër e motra në Krishtin,
çdo vit në zemër të verës kthehet solemniteti i Të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër
në Qiell, festa më e lashtë mariane. E për ne besimtarët është një rast i volitshëm
për t’u lartuar me Marinë Virgjër në lartësitë e shpirtit, ku thithet ajri i pastër
i jetës së mbinatyrshme e kundrohet bukuria më e vërtetë dhe e plotë, që është shenjtërimi.
Atmosfera e kremtimit të kësaj feste është e mbushur me gëzimin e Pashkëve. “ Sot
Maria është ngjitur në qiell: galdoni e gëzohuni, me Krishtin mbretëron përgjithmonë.
Haleluja”. Ky kumtim na flet për një ngjarje tejet të jashtëzakonshme dhe unike,
por që e mbush zemrën e njeriut me shpresë e lumturi. Vërtetë, Mari është krijesa
e parë e njerëzimit të ri, krijesa në të cilën misteri i Krishtit - Mishërimi, Vdekja,
Ngjallja, të Ngjiturit të Krishtit në qiell kanë pasur efektin apo rezultatin e plotë,
duke shpëtuar nga vdekja e duke e transferuar (bartur) me shpirti e me trup në mbretërinë
e jetës së pavdekshme. Për këtë Virgjëra Mari, sikur na kujton Koncili II i Vatikanit,
për ne është shenjë e shpresës së sigurt dhe ngushëllim. Pra, festa e ‘Të ngjiturit
të Zojës në Qiell’ pohon se dashuria, në dukje ligështi e Hyjit, fiton mbi pushtetin
e egoizmit e të dhunës. “E gjithë historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë
së Zotit deri në dhurimin e plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen
e Zotit, deri në urrejtjen për të tjerët”, thotë Shën Agostini. Festa e ‘Të ngjiturit
të Zojës në Qiell’ na fton të kemi besim, sepse dashuria, që duket si ligështi e Zotit,
në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës.
Në leximin e festës nga Zbulesa, spikasin dy figura: ajo e gruas së veshur me
diell, simbol i dashurisë së Hyjit dhe ajo e dragoit të kuq vigan, simbol i dashurisë
për vetveten. Me figurën e dragoit Shën Gjoni simbolizoi pushtetin e perandorëve romakë
antikristianë, që nga Neroni te Domiciani: pushtet që dukej i pakufizuar, pushtet
ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik: ”Përballë këtij pushteti feja, Kisha,
dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie për të shpëtuar e aq më pak,
për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të tillë të gjithpranishëm,
që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se fitoi gruaja e pambrojtur,
nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit e Perandoria romake ia hapi
dyert fesë së krishterë”. Dragoi pra simbolizon pushtetin e egoizmit absolut, të
terrorit, të dhunës. Përfaqëson diktaturat antikristiane të të gjitha kohërave, si
nazizmi e komunizmi, në shekullin e kaluar. Dukej e pamundur që feja të mbijetonte:
por edhe këtu, në fund të fundit, dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen. Por dragoi nuk
është mposhtur ende plotësisht: vijon të ekzistojë në forma të reja: “Ekziston
në format e ideologjive materialiste, që na thonë se është absurde të mendosh për
Hyjin, është absurditet t’u bindesh dhjetë urdhërimeve të Tënzot; na thonë se është
diçka e vjetruar, që i përket një kohe të shkuar e se ajo që vlen, është ta jetosh
jetën për vete, se vlen vetëm konsumi, egoizmi, dëfrimi… E përsëri të duket absurde,
e pamundur t’i kundërvihesh një mendësie të tillë, që sundon me gjithë forcën e saj
mediatike, propagandistike. Sot duket e pamundur të mendosh për një Hyj që krijoi
njeriun e që u bë fëmijë e se ky fëmijë do të ishte sundimtari i vërtetë. Edhe sot
dragoi duket i pathyeshëm, por edhe sot Hyji është më i fortë se dragoi e dashuria
është ajo që fiton, jo egoizmi”. Më pas kemi figurën e gruas: është e veshur me
diell, sepse jeton në dritën e Hyjit, e ka hënën nën këmbë, sepse e ka lënë pas vetes
vdekjen. E na thotë “Guxim! Në fund fiton dashuria! Guxoni të jetoni kështu, pa u
frikësuar nga kërcënimet e dragoit”. Gruaja nxjerr në dritë foshnjën me dhimbje:
simbol i Kishës shtegtare në të gjitha kohërat: në të gjitha breznitë duhet ta lindë
përsëri Krishtin, ta sjellë në botë Krishtin me dhimbje të madhe në gjirin e këtij
njerëzimi që vuan. Është Kishë e përndjekur nga dragoi në të gjitha kohërat, por në
të gjitha kohërat jeton në dritën e Hyjit. E kështu në të gjitha mundimet Kisha, duke
vuajtur, fiton e është garanci e pranisë së dashurisë së Hyjit kundër të gjitha ideologjive
të urrejtjes e të egoizmit. E dragoi edhe sot dëshiron ta përpijë Hyjin e bërë foshnje:
‘mos mendoni për këtë Hyj, i ka kaluar koha!’ – na thonë – por edhe sot ky Hyj i ligsht,
është i fortë, është forca e vërtetë. E kështu festa e ‘Të ngjiturit të Zojës së Bekuar
në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë: Është ftesë për të pasur besim në Hyjin,
ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot,
jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj. Të japim jetë e jo të marrim jetë.
E pikërisht kështu jemi në rrugën e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten
e që, megjithatë, është e vetmja rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë
vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë. Atëherë mund të themi me plot gojën se festa
e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje
e ligsht, është forca e vërtetë e botës. Dashuria është më e fortë se urrejtja. Po
kështu duhet kujtojmë se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ bazohet në Shkrimin
Shenjt, Bibël, që na e paraqet Virgjërën të bashkuar fort me Jezusin në luftën kundër
armikut djallëzor, deri në fitoren e plotë mbi të. Është fitore që gjen shprehjen
e vet kryesisht në kapërcimin e mëkatit e të vdekjes. E prandaj Maria, solidare me
Jezusin edhe në ngjallje, u ruajt nga kalbja në varr, për t’u ngjitur me shpirt e
korp në lumturinë e Qiellit - siç pohoi Piu XII, duke shpallur, më 1 nëntor 1950,
Dogmën e të ngjiturit të Zojës në Qiell, në Kushtetutën apostolike “Munificentissimus
Deus”. Duke u ngjitur në Qiell Maria nuk u largua nga ne, e kemi edhe më pranë e drita
e saj ndriçon jetën tonë e historinë e mbarë njerëzimit: Të tërhequr nga shkëlqimi
qiellor i Nënës së Shëlbuesit, t’i drejtohemi me besim asaj, që nga lart na sheh e
na mbron dhe ndërmjetëson pranë Zotit të Gjithëpushtetshëm. Të gjithë kemi nevojë
për ndihmën e saj e për ngushëllimin e saj, për të përballuar provat e sfidat e përditshme:
kemi nevojë ta ndjejmë pranë si nënë e si motër në çdo çast të jetës sonë. E që të
mund të kemi një ditë edhe ne përgjithmonë të njëjtin fat, t’i ngjasim tani, duke
ecur në rrugën e Krishtit e të shërbimit bujar ndaj vëllezërve. Kjo është e vetmja
mënyrë për ta parashijuar, në sa jemi akoma në shtegtimin tonë tokësor, gëzimin e
paqen që e jeton plotësisht kush arrin në cakun e pamort të Parajsës. Shembulli
i Marisë tregon se Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë banesën e vet.
Krishti dëshiron të jetojë edhe në zemrën tonë. Kisha – shtëpi e Hyjit rritet në se
ne, njerëzit, e pranojmë Zotin me fenë tonë, me adhurimin tonë, me shpresën tonë e
me dashurinë tonë, duke u bërë kështu, gurë të gjallë të kësaj shtëpie shpirtërore. E
tani më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të solemnitetit të Zojës së Madhe,
mund të dëgjoni këtu.....