2012-08-13 19:30:15

Festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell; “Zoja e Madhe”.


Shenjtëroret mariane në mbarë botën përgatiten të kremtojnë me devocion të posaçëm solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Për të kujtuar vendin tejet të rëndësishëm që zë kjo festë, ndërmjet Festave kushtuar Zojës së Bekuar, ftuam, në mikrofonin tonë, imzot Karlo Liberatin, ipeshkëv-prelat i Shenjtërores së Zojës Rruzare të Pompeit:

Përgjigje: - Me vdekjen, jeta ndryshon pamje, ndryshon formë, është si rrugë, që vijon, po në një mënyrë tjetër. Kjo është më se e vërtetë, madje jeta jonë lartohet aq pas vdekjes, sa ne jemi të paracaktuar të hyjmë në lumni, në Ringjallje. Në këtë drejtim, Zoja e Bekuar është shembull i jashtëzakonshëm, sepse e jetoi para nesh këtë përvojë të jashtëzakonshme: ne, si të vdesim, gjatë një faze kalimtare, jemi të panjohur, deri në ditën e Ringjalljes, madje poshtërohemi në pluhur, në kalbëzim, në varr. Po Maria nuk mund ta kalonte një fazë të tillë; ajo u ruajt nga mëkati i rrjedhshëm, sepse ishte Nëna e Krishtit Shëlbues. Mënyra si u pranua Maria në qiell, është pikërisht ajo e amshimit, e korpit të lumnuar, që nuk ka asgjë të përbashkët me kalbjen e trupit njerëzor deri në ditën e lumnisë.

Pyetje: - Solemniteti i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, pohon edhe një herë pamundësinë për ta shkëputur korpin nga shpirti në rrugën që përshkohet drejt shëlbimit...

Përgjigje: - Ne nuk mund të ndahemi kurrë. Pas vdekjes ka një periudhë tranzicioni, që është ajo e varrit, por pastaj korp e shpirt ribashkohen. Jemi të paracaktuar për Lumni, lumnia do të na lartojë. Zoja e njohu menjëherë këtë lumni. Në dukjet mariane, në Fatima, Lurdë, Guadalupe etj. etj., vegimtarët, të pyetur për këtë Zonjë, pohuan se bukuria e Zonjës, që kishin parë, ishte e papërshkrueshme, sepse tepër e lartë, krejt e ndryshme nga bukuria njerëzore. Kur u treguan një pikturë apo një shtatore Zojës së Lume, e panë e, të pakënaqur, thanë: jo, jo, ishte shumë më e bukur! Sepse ishte ‘la doxa tou theou”, shenjë e pangatërrueshme e lumnisë së Zotit.

Pyetje: - Pra lumnimi i korpit të Marisë na mëson të heqim dorë nga çdo formë e poshtërimit të trupit njerëzor...

Përgjigje: - Korpi, së bashku me shpirtin, domethënë personi, u krijua për lumturi të përhershme. Mendoni për trishtimin, poshtërimin e zvetënimin e prostitucionit, të përdorimit të njeriut si kafshë pune, të humbjes së lirisë, të heqjes së pavarësisë fizike, të mendimit, të veprimit, të vartësisë nga modat, nga zakonet, nga mitet e kohëve tona, nga miti i kënaqësisë, që nuk ekziton... E gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me atë, që na pret në amshim e, prej këndej, lumnimi i menjëhershëm i korpit të Marisë, pas ‘dremitjes’, na mëson se duke qenë thirrja jonë krejt e ndryshme nga punët e botës, të rinjtë duhet të kuptojnë domosdoshmërinë e kapëcimit të kënaqësive kalimtare, të kuptojnë se duhet shikuar më lart, jo vetëm kah yjet e trupat qiellore; e duhet edhe ta përkulin kokën në heshtjen e ndërgjegjes së tyre e të zemrës së tyre e të kërkojnë atje vlerat e vërteta, si paqja, qetësia, ekuilibri, durimi, forca, pastërtia shpirtërore, që nuk perëndojnë kurrë, që janë të përjetshme e që na afrojnë te drita e Zotit, tek bukuria e Marisë.

Pyetje: - Si nderohet Të Ngjiturit e Zojës në Qiell në shenjtëroren e Marisë, në Pompei?

Përgjigje: - Me të gjitha këngët mariane, që këndohen në mbarë botën katolike. Në se vini në Pompei, do të dëgjoni këngët më të bukura, që Kisha katolike i larton Virgjërës Mari në të gjitha gjuhët e që e mbushin përplot Shenjtëroren tonë. Përpiqemi të krijojmë atmosferë kundrimi, lutjeje, për ta kundruar në heshtje misterin e dashurisë së Zotit, ashtu si atë ditë, në Nazaret, kur Engjëlli Gabriel i kumtonte Marisë lajmin e madh të Mishërimit të Zotit!

Pyetje: - Format e devocionit dhe kremtimet, që e shoqërojnë këtë solemnitet mund ta ushqejnë fenë e njerëzve të veçantë e të mbarë bashkësisë katolike....

Përgjigje: - Vështirë të jesh seriozisht i krishterë, në se nuk je edhe marian, me shpirtin e Marisë: për të qenë i krishterë, duhet të dish t’i thuash ‘po’ Zotit. Zoja është krijesa, e cila i përgjigjet me plot gojën ‘po’ Zotit, që e thërret. Meshtarët që njoh e që thonë Ruzaren, janë më të zellshëm, më të butë, më të guximshëm: me një fjalë janë më të shenjtë. Është Rruzarja që ndikon mbi shpirtin e tyre! Mjet i jashtëzakonshëm përsosurie.








All the contents on this site are copyrighted ©.