2012-08-11 10:56:14

Sulmet kundër kishave në Nigeri. Kryeipeshkvi i Abuzhës: strategji për përçarjen e myslimanëve dhe të të krishterëve


Nuk dihet akoma cilët janë autorët e sulmit të kësaj jave kundër një kishe ungjillore në Nigeri, ku mbetën të vrarë 9 vetë. Edhe më 8 korrik, një aksion i sektit integralist islamik “Boko Haram” shkaktoi vdekjen e 22 vetëve në shtetin e Platosë. Sipas kryeipeshkvit të Abuzhës, imzot Xhon Onajekan, po përpiqen të fusin grindje ndërmjet myslimanëve e të krishterëve:RealAudioMP3
Nuk është e lehtë ta kuptosh llogjikën e veprimeve të tyre. E vetmja gjë që më vjen ndërmend, është se këta njerëz duan të mbjellin çrregullime në vend, duke i vendosur të krishterët kundër myslimanëve. Duan një kaos të përgjithshëm, ndoshta duke menduar se në një situatë të tillë, mund t’i zbatojnë lehtë planet e tyre. Kush ka vetëm pak inteligjencë e kupton se plani i tyre është i pamundur, i parealizueshëm, por fanatikët nuk ndjekin llogjikën e zakonshme, ky është problemi.
Si mund të ndihmojnë krerët fetarë në ndalimin e këtij fanatizmi?
Jam i bindur se problemi nuk është “të krishterët kundër myslimanëve”, prandaj ngul këmbë që krerët e të dyja palëve të punojnë së bashku për t’i gjetur dhe për t’i izoluar këto grupe. Myslimanët nigerianë e kanë thënë tashmë se janë njerëz, që nuk kanë të bëjnë me ta. Nga ana tjetër, qeveria duhet të bëjë më shumë në fushën e sigurisë. Duket se ndërhyrja e saj po përmirësohet, por akoma nuk mjafton.
Si e jetojnë besimtarët këtë situatë? A s’ka rrezik të mos vijnë më në meshë, të mos e ndjekin më bashkësinë?
Absolutisht jo! Këtu në Nigeri, të krishterët janë shumë të bindur, të rinj e të rritur. E të gjithë janë gati të vazhdojnë të shkojnë në kishë. Këto janë episode sporadike, nuk mund të merret vesh më parë se ku do të godasin. Nuk është konflikt i përgjithshëm ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve; kemi të bëjmë me veprimtarinë e një grupi terroristësh, që u shkakton probleme të gjithëve, të krishterëve e myslimanëve. Sulmojnë edhe xhamitë. Në këtë çast, problemi qëndron në faktin se kjo situatë e bën të vështirë bashkëpunimin ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Ne e mbajmë gjallë dialogun me krerët fetarë, por nuk duhet harruar aspekti politik.
Dëshironi t’u bëni ndonjë thirrje të veçantë dëgjuesve të Radio Vatikanit?
Po: na ndihmoni me lutje! Kemi besim e fe të madhe në fuqinë e lutjes, që mund t’u ndryshojë zemrat njerëzve. Për ne, është e rëndësishme edhe që bashkësia e krishterë botërore të ketë ide më të qarta për gjendjen në Nigeri. Nuk kemi të bëjmë me persekutim të të krishterëve nga ana e myslimanëve. Vendi nuk është i ndarë në dy grupe, që sulmojnë njëri-tjetrin. Nëse bota do ta kuptonte si duhet këtë, mund të na përkrahë më mirë në punën për krijimin e një vendi, ku të krishterët e myslimanët të ecin së bashku.







All the contents on this site are copyrighted ©.