2012-08-11 10:56:32

Shenjtorët e javës 12 – 19 gusht 2012


Më 12 gusht, e diela e 19-të gjatë vitit kishtar, Kisha Katolike, ndër të tjerë, kujton shën Gjovanën Françeska të Shantalit, rregulltare dhe papën Inoçenci XI.

Nesër, 13 gusht, kremtohet festa liturgjike e shenjtorëve Ponciani, papë dhe Hipoliti, meshtar, të dy martirë. Njëkohësisht përkujtohet edhe shën Gjon Berkmans, jezuit.

Të martën, më 14 gusht, nderohen shën Maksimilian Kolbe, françeskan konventual e martir, shën Alfredi, ipeshkëv e shën Euzebi romak.

Të mërkurën, 15 gusht, një nga festat më kulmore për Kishën Katolike, ajo e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, ose Zoja e Madhe. Gëzimi i pafund që Maria, Nëna e Jezusit shpreh në lavdin drejtuar Hyjit “Magnificat”, është bërë gëzimi e hareja e krejt popullit të Zotit.

Më 16 gusht, ditën e enjte, kremtohet festa liturgjike e shën Shtjefnit, mbret i Hungarisë e i shën Rrokut, shtegtar.

Më 17 gusht, të premten e ardhshme, përkujtohet ndër të tjerë, shën Eusebi, papë e martir, dhe shën Kjara nga Montefalko, abateshë agostiniane.

Të shtunën, më 18 gusht, Kisha Katolike nderon shën Helenën, perandoreshë, nëna e perandorit Kostandin, që lejoi për herë të parë krishterimin në Romë, dhe shën Agapiton, martir. Po në këtë ditë, shqiptarët përkujtojnë edhe shën Florin e shën Laurin, martirë të Ulpianës, në Kosovë.

E diela e ardhshme, 19 gusht, është e 20-ta gjatë vitit kishtar. Kremtohet festa liturgjike e shën Gjonit Eudes, meshtar, themelues i eudistëve, shën Siksti III, papë, dhe shën Manji, martir.







All the contents on this site are copyrighted ©.