2012-08-11 10:55:59

Nga Kisha Katolike nëpër botë


Mesha në festën e Shndërrimit të Jezusit, kremtuar në Tokën Shenjte u transmetua për herë të parë përmes satelitit. Ajo u kryesua nga Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala, në Bazilikën e Malit Tabor, më 6 gusht. Kremtimi liturgjik u transmetua në tri gjuhë: arabisht, spanjisht e italisht.

Indi, Kisha Katolike, sidomos murgeshat, po punojnë për ndalimin e aborteve, që bëhen sa herë fëmija është femër, pra, kanë si qëllim, thjesht përzgjedhjen e seksit. Kjo fushatë po mbështetet edhe nga autoritetet e disa shteteve indiane, ku ky fenomen është në rritje. Në shoqërinë patriarkale të vendit aziatik, femrat konsiderohen vetëm një peshë ekonomike për familjen, e cila privilegjon trashëgimtarin mashkull. Natyrisht, vjen koha që kjo mendësi kthehet kundër shoqërisë, pasi ndryshon raportin ndërmjet meshkujve e femrave, duke krijuar çekulibrime të ndjeshme demografike. Kështu, në Indi e në Kinë, kampione të kësaj praktike, lindin 120 meshkuj kundrejt 100 femrave. Kufiri natyror do të ishte deri në 105 meshkuj çdo 100 femra. Ndërkaq, në disa zona të Indisë, gratë vriten edhe kur familja e tyre nuk është në gjendje të paguajë prikën e caktuar para martesës.

Vikariati Apostolik i Arabisë së Veriut e transferon selinë e vet qendrore nga Kuvajti në Bahrein, sepse lidhjet nga ky vend janë më të mira dhe është më lehtë të merret viza për meshtarët e murgeshat, që shpesh duhet të mblidhen në takime pune. Lajmi është dhënë nga vetë vikari apostolik, imzot Kamilo Balin. Vikariati përfshin katër shtete: Kuvajtin, Bahreinin, Katarin dhe Arabinë Saudite, me dy milion besimtarë, gati të gjithë emigrantë.

“Të mos e përjashtojmë Zotin nga familja!” Kjo është thirrja e kryeipeshkvit të Qytetit të Meksikos, kardinalit Norberto Rivera, duke pasur parasysh përpjekjet për vënien e shenjës së barazisë ndërmjet lidhjeve të dy homoseksualëve me martesën e burrit me gruan. Kemi humbur sensin e Zotit, duke e larguar nga shkolla, nga sporti, nga mass media, nga politika, nga ekonomia e, edhe nga puna kërkimore në favor të jetës. Kështu, vazhdon kardinali, kemi humbur identitetin tonë si njerëz, duke i konsideruar ndryshimet seksuale ndërmjet burrit e gruas jo si biologjike, por si shoqërore. Kardinali meksikan bën thirrje të rizbulohen marrëdhëniet ndërmjet burrit e gruas, dhurata, që ata i bëjnë njëri-tjetrit si bashkëshortë dhe rëndësia që ka kjo për shoqërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.