2012-08-10 16:43:19

Si drekoi Shën Kiara me Shën Françeskun e shokët tij në Shën Marinë e Engjëjve.


Shën Françesku, kur ishte në Ashezi, shkonte shpesh për vizitë te Shën Kiara, e i jepte këshilla shenjte. E megjithqë ajo kishte dëshirë të madhe të hante një herë me të, e i qe lutur shumë herë, ai nuk donte t’ia jepte këtë ngushëllim. Ndërkaq shokët e tij, duke parë dëshirën e Shën Kiarës, i thanë Shën Françeskut; “Atë, ne na duket se gjithë kjo shtrëngesë nuk përkon me dashurinë hyjnore. Pse u dashka të mos ia plotësosh motër Kiarës, virgjër shenjte, e zgjedhur nga Hyji, një dëshirë kaq të vogël, një darkë me ne? Nuk duhet harruar se ajo iu përgjigj predikimit tënd, duke braktisur të gjitha pasuritë e salltanetet e kësaj bote”.
Atëherë Shën Françesku u përgjigj: “Ju mendoni se është mirë t’ia plotësoj këtë dëshirë?”.
E shokët: “ Si jo, o Atë, është gjë e denjë për ty, t’ia japësh këtë ngushëllim!”.
Tha atëherë Shën Françseku: “Mbasi ju mendoni kështu, kështu po mendoj edhe vetë. Por që ajo të ngushëllohet vërtet, dua që kjo drekë të shtrohet në Shën Marinë e Engjëjve, mbasi ajo ka ndenjur tepër gjatë e mbyllur në Shën Damian e kështu do t’i çelë paksa sytë duke soditur Shën Marinë, vendin ku i preu flokët e saj të artë e u bë vasha e Jezu Krishtit: e aty do të hamë së bashku, në emër të Zotit”.
Si i çoi fjalë, Shën Kiara doli nga manastiri, së bashku me një motër e, e shoqëruar nga vëllezërit e Shën Françeskut, erdhi në Shën Marinë e Engjëjve. E, si pati përshëndetur me devocion Virgjërën Mari, para elterit të Saj, ku pati prerë flokët e pati mbuluar kokën me velin e murgeshës, erdhi ora e drekës. E në këtë mes Shën Françesku e shtroi sofrën përdhe, sipas zakonit. E mbasi gjithçka ishte gati, u ulën së bashku, Shën Françesku e Shën Kiara e një prej shokëve të Shën Françeskut e shoqja e Shën Kiarës e pastaj të gjithë shokët, rreth e rreth sofrës, përvujtërisht. E, para bukës, Shën Françseku nisi të flasë për Zotin aq mahnitshëm, aq mrekullisht, aq lartësisht sa, duke zbritur mbi ta hiri hyjnor, të gjithë u rrëmbyen në Zotin.
E në sa ata ishin kështu, të rrëmbyer, me krahë të lartuar nga qielli, banorët e Ashezit e ata të Betonës, që banonin përreth, panë se Shën Maria e Engjëjve dhe i gjithë vendi e edhe pylli, që rrethonte asokohe vendin, rrezatonin një dritë aq të fortë, sa kujtuan se kisha, vendi e pylli ishin kallur flakë. Vrapuan, prandaj, atje, për ta shuar zjarrin, duke besuar plotësisht se gjithçka po bëhej shkrumb e hi, Por, kur arritën në vend e nuk panë asnjë gjuhë flake, hynë brenda e gjetën Shën Françeskun, Shën Kiarën dhe gjithë shoqërinë të rrëmbyer në Zotin, në kundrim të thellë, rreth e rreth kësaj sofre të përvuajtur, me gjellë të paprekura. Kuptuan, atëherë, se kishte qenë hyjnore e jo materiale, flaka, që Zoti kishte kallur mrekullisht, për ta bërë të dukshëm zjarrin e dashurisë hyjnore, nga i cili ishin përflakur shpirtrat e këtyre vëllezërve e të këtyre motrave të shenjta. U nisën, prandaj, e shkuan, me ngushëllim të madh e me zemrën të mbushur me hirin, që ndrin, pa djegur!
Nësa Françesku, Kiara e mysafirët e asaj sofre, pasi u ngushëlluan, kështu, me ushqimin shpirtëror, pak e aspak u kujdesën për shujtën trupore, pas së cilës, Shën Kiara u rikthye rishtas në kuvendin e Shën Damianit, e pritur me gëzim të madh nga simotrat, që kishin kujtuar se Françesku e kishte nisur në ndonjë kuvend tjetër, e ishin trembur. Sepse një herë i kishte thënë: “Të jesh gati, në se do të duhet të shkosh dikund tjetër!”.
E Kiara, bijë e bindjes, i kishte gjegjur: “Atë, unë jam gjithnjë gati për të shkuar atje, ku do të më çoni”.
Për lavd e lumni të Krishtit. Amen!

Marrë nga “I Fioretti di San Francesco”, Frabri Editori, 2001, Kapitulli XV, fq 102-104







All the contents on this site are copyrighted ©.