Kriza ekonomike, Marksi dhe Doktrina shoqërore e Kishës
Në këtë moment, ndërsa bota kalon një krizë të thellë ekonomike, në disa organe shtypi
janë botuar komente, që në një mënyrë, apo në një tjetër, përmendin kritikat e Karl
Marksit kundër kapitalizmit, në vitet ‘800. Disa nënvizojnë madje, se ai e pati parashikuar
rënien e sistemit kapitalist, të tjerë theksojnë kritikat e tij kundër botës së bankave.
Në një vend si Shqipëria, e cila ka kaluar komunizmin, që zuri fill nga Marksi, ndokush
mund të mbetet i çuditur: “Paska pasur të drejtë ekonomisti i ‘800-ës”? Për t’ju përgjigjur
kësaj pyetje dhe për të krahasuar qëndrimin e Karl Marksit me Doktrinën Shoqërore
të Kishës, iu drejtuam edhe ne një ekonomisti, të kohës sonë, natyrisht. Është italiani
Stefano Zamanji, në mikrofonin tonë: Para udhëve qorre e të kufizuara të kapitalizmit,
ka dy qëndrime. I pari është ai i Marksit dhe i të tjerëve, që e ndoqën, të cilët
thonë: “Kapitalizmi duhet zhdukur”. Qëndrimi tjetër pohon: “Kapitalizmi është një
sistem ekonomik, që ka dinamikën e vet e që pranon evolucionin”, pra, pranon se mund
të tejkalohet, më tepër se të zhduket. Ky, për shembull, është qëndrimi i Doktrinës
Shoqërore të Kishës. Të flasim pak për disa kufizime të kapitalizmit, që vihen
re sidomos sot, me krizën në vazhdim… Kufizimet janë tri. I pari është rritja
endemike-sistematike e pabarazive shoqërore; kufizimi i dytë ka të bëjë me mohimin
e konceptit se gjithçka ka kufi, koncept i rrezikshëm sidomos për burimet natyrore,
energjitike etj. Sot, njohim aspektin tragjik të kësaj çështjeje, sepse tematikat
ambientale janë në qendër të vëmendjes. Kufizimi i tretë ka të bëjë me marrëdhëniet
ndërmjet ekonomisë, pra tregut dhe politikës: kjo është një pikë për të cilën “Caritas
in veritate” ka thënë fjalë, që vërtet hedhin dritë mbi shumë aspekte. Enciklika e
Benediktit XVI shpjegon se kapitalizmi priret të gllabërojë edhe sferën politiko-demokratike.
Me fjalë të tjera, logjika kapitaliste ndryshon marrëdhëniet mbizotëruese brenda sferës
së demokracisë. E ky është problem serioz. Ju, që jeni ekonomist e jo teolog,
kërkoni që në qendër të gjithçkaje të rivendoset njeriu, ashtu siç thotë Doktrina
shoqërore e Kishës Katolike… Pikërisht, është e qartë. Por duhet ta sqarojmë
mirë këtë koncept, është fjala për qënien njerëzore, për personin njerëzor. Sepse
edhe rryma të tjera mendimi flasin për personin, por nënkuptojnë individin e izoluar,
ose subjektin si pjesë e kolektivit. Ajo e Doktrinës shoqërore të Kishës, është perspektiva
e personalizmit, që refuzon si individualizmin, ashtu edhe kolektivizmin. Individualizmi
ka parasysh vetëm individin; kolektivizmi, vetëm kolektivin, apo klasën. Kriza
ekonomike aktuale filloi nga bankat, me të ashtuquajturën flluskë financiare. Karl
Marksi i quante bankierët “banditë”, ose “klasë parazitësh”. A kishte të drejtë? Është
e qartë se detonatori i krizës financiare qe flluska e pasurive të patundshme në Amerikë
dhe spekullimet në këtë fushë, në vende si Spanja e të tjera. Por, kujdes: kjo është
shenja e një fenomeni më të thellë. Kriza për të cilën po flasim i ka rrënjët në humbjen
e konceptit të qënies njerëzore e në ekzaltimin e lakmisë, ose – siç e ka quajtur
dikush – në ekzaltimin e shoqërisë së dhjamosur. I majmuri ha jo sepse ka nevojë,
por për të qenë më i fortë se të tjerët. Është pasoja e ndarjes ndërmjet tregut dhe
demokracisë. Kriza filloi në çastin kur demokracia pati një boshllëk politik. Klasa
politike perëndimore e, sidomos ajo anglosaksone, ka përgjegjësi të mëdha, sepse e
la krejtësisht mënjanë rolin e vet, nuk qe në gjendje të tregojë rrugën drejt së mirës
së përbashkët dhe e la të lirë tregun spekullativ.