2012-08-10 15:19:45

Kremtimet e festës së Shën Kiarës, në Asizi e në Shqipëri.


Sonte, në Asizi, sipas traditës, nisën kremtimet e festës së Shën Kiarës. Në orën 21.00, në shenjtëroren e Shën Damianit, u kremtua mbrëmësorja e lutjes, në përkujtim të çasteve të fundit të shtegtimit të Kiarës mbi këtë tokë. Kremtimin e kryesoi atë Bruno Otavi, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, provincial i françeskanëve të Umbries. Mbrëmësorja u kremtua në kuadrin e festimeve për mbylljen e tetëqindvjetorit të kushtimit të Shën Kiarës, që nisën më 17 prill 2011 e do të përfundojnë nesër, me një kuvëndim dhe me kushtimin e një kiostri, në Porciunkola.Tre janë kremtimet e nesërme në program:
Në orën 11.00, në Bazilikën e Shën Kiarës, bashkëkremtimi solemn kryesuar nga kardinali Agostino Valini, mëkëmbës i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës, me pjesëmarrjen e korit të “Këngëtarëve të Asizit”.
Në orën 15.30, në Bazilikën papnore të Shën Marisë së Engjëjve, në Porciunkola, kremtimi i mbylljes së tetëqindvjetorit dhe përurimi i Kiostrit të Shën Kiarës, ku do të vendosen shtatë vepra të reja pikture, realizuar nga piktori Aurelio Bruni; një shtatore e Shenjtores, vepër e skulptorit Piero Kazentini dhe një vepër, realizuar në majolikë, e Robert Beker.
Kushtimi i Kiostrit do të shoqërohet edhe me një koncert për nder të Shën Kiarës, organizuar nga grupi “Trasimeno String Quartet” dhe sopranoja Françeska Bruni. Pas koncertit, një pjesë teatrore e Shoqatës “Kiara e Zotit”.
Në orën 18.00, në Bazilikën e Shën Kiarës, Mesha në kujtim të Kalimit të Shenjtes nga kjo botë, kryesuar nga atë Hosè Rodriguez Karbalo, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël.Tetëqindvjetori përkujtimor do të mbyllet me kthimin e relikes së flokëve të Shën Kiarës.







All the contents on this site are copyrighted ©.