2012-08-10 15:19:23

Festa e Shën Lorencit: martiri është njeri i lirë, që nuk u nënshtrohet pushteteve tokësore.


“Dëshmia e krishterë nuk mjafton! Është e nevojshme edhe fjala e qartë dhe e guximshme, posaçërisht kur je përballë konformizmit sundues”: këtë theksoi sot paradite kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, kardinali Anxhelo Banjasko, gjatë kremtimit të Meshës Shenjte në katedralen e Gjenovës, me rastin e festës së Shën Lorencit, diakon e martir, pajtor i qytetit. Fjalët e Kardinalit na kujtojnë reflektimet e Benediktit XVI kushtuar Shenjtit të martirizuar nën sundimin e Perandorisë romake, në shekullin III e, përgjithësisht, të gjitha formave të martirizimit, që vijon.RealAudioMP3

Kardinali Banjasko e quajti martirizimin e Shën Lorencit, profeci: Shenjti diakon, mbarështues i pasurive të Kishës për t’iu shpërndarë të varfërve, nuk përkulet para urdhërave të perandorit Valerian, që i kërkon t’i dorëzojë thesaret e tij, në se do të jetojë. Thesaret, o jetën!
“Ja këto janë thesaret e Kishës” përgjigjet, pa kurrfarë frike, Lorenci, duke treguar të varfërit, të sëmurët e të flakurit në rrugë të madhe nga perandori e perandoria. Me ta merrej ditë për ditë, atyre ua dorëzonte gjithçka kishte. Nuk donte të mbronte pasuritë e Kishës, theksoi Hirësia e Tij, por lirinë e Kishës për misionin e shëlbimit. E Papa na kujton:
“Martiri është njeri plotësisht i lirë; i lirë përballë pushtetit të botës. Është njeri i lirë, i cili në një akt përfundimtar, ia dhuron Zotit gjithë jetën e vet; e në një akt feje, shprese e dashurie, e lëshon krejtësisht vetveten në duart e Krijuesit e të Shëlbuesit të vet; flijon jetën, për t’u bërë një me Flijimin e Krishtit mbi Kryq. Me një fjalë: martirizimi është vepër e madhe dashurie, që i përgjigjet dashurisë së pamasë të Zotit” (Audienca e përgjithshme, 11 gusht 2010).
Prej këndej, Benedikti XVI na e propozon Shën Lorencin diakon, si model të mrekullueshëm të shenjtërisë.
Misioni i Kishës është kumtimi i Ungjillit, tha kardinali Banjasko, një e vërtetë, që qëndron mbi të gjitha të vërtetat e tjera, i paraprin autoritetit njerëzor e i detyron të krishterët të mos bëjnë pazar me parimet themelore. Prej këndej, ai që nuk do të paguajë me para, paguan me jetë, si Shën Lorenci, i cili digjet i gjallë, por pa mëri të zezë në zemër. Edhe një herë fjalët e Papës, që na kujton se ne ndoshta nuk jemi të thirrur për të ecur në rrugën e martirizmit. Por ndërkaq, askush nuk përjashtohet nga thirrja për të ecur në rrugën e shenjtërisë, për ta jetuar në masën më të lartë jetën e vet të krishterë, ashtu si martirët:
“Këta shenjtorë janë dëshmitarë të asaj dashurie, që di të dojë ‘deri në fund të fundit’, që nuk i përgjigjet së keqes me të keqe (cfr 1 Kor 13,4-8), por e lufton të keqen me të mirë: Prej tyre ne të gjithë, e posaçërisht meshtarët, mund të kuptojmë heroizmin ungjillor, që të shtyn, pa kurrfarë frike, të japësh jetën për shpëtimin e shpirtrave. Dashuria fiton mbi vdekjen!(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 9 gusht 2009).
Prandaj martirët vijojnë të na japin mësime, edhe pas qindra-mijëra vjetësh.
Shën Lorenci u dogj i gjallë, sepse Perandoria romake e shikonte fenë e krishterë si rrezik për unitetin ideologjik të shtetit. Kanë kaluar shekuj që asokohe. Ka shumë mundësi që martirizimi i tij e martirizimi në përgjithësi t’i duket ndokujt si mit i lashtësisë. Po nuk është ashtu! Vërtet gjithë të krishterët nuk janë të thirrur të martirizohen, na kujton Papa, por që të gjithë duhet ta dëshmojnë dashurinë e krishterë, me tërë vërtetësinë e saj e në çdo rrethanë:“Të gjithë, posaçërisht në kohën tonë, që të krijon përshtypjen se sundohet nga egoizmi e individualizmi, duhet ta kemi mirë parasysh se impenjimi ynë i parë e themelor është t’i duam çdo ditë e më shumë Zotin e vëllezërit, për ta shndërruar kështu botën tonë” (Audienca e përgjithshme, 11 gusht 2010).







All the contents on this site are copyrighted ©.