Çelësi i fjalëve të Kishës: Nga vepra filozofike e Edit Shtain: “Kush është njeriu?”
Veprën filozofike të Bashkëpajtores së Evropës, Shën Terezës-Benedikta e Kryqit, e
përshkon tejendanë shqetësimi për fatin e njeriut. Në të gjejmë pyetjen e përjetshme,
të përsëritur në shekuj: “Kush është njeriu?”. Në se nuk ndalohemi tek
kjo pyetje e tek përpjekja e saj për t’i dhënë përgjigje, vështirë se do ta kuptonim
jetën e Shenjtores, që përkujtohet sot nga Kisha katolike; kësaj gruaje të jashtëzakonshme,
që duket si e krijuar për të lidhur ngushtë dy Besëlidhjet: të Vjetrën, sepse hebreje,
e të Renë, sepse filozofe, që jo vetëm e studioi Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur,
por edhe u flijua për Të, mbi një kryq, shpikur nga kohët moderne, që hyri në histori
me emrin kamp i shfarosjes. Udha, që do ta çonte në flijim, nis pikërisht nga
pyetja: “Kush është njeriu?”. Kush është kjo qenie e përkryer dhe e ndërlikuar
njëherësh, në të cilën korp e shpirt takohen, dialogojnë, kundërshtohen e bashkëveprojnë.
Për filozofen Edit Shtain, që do të zgjidhte emrin rregulltar Tereza-Benedikta e Kryqit,
analiza e njeriut të çon në përfundimin se ai përbëhet nga tri pjesë: trup, zemër
e shpirt. Në kohët tona, që sundohen nga fjala “thërrmim”, ka rëndësi të kujtojmë
se Edit Shtain e studioi njeriun në tërësinë e tij, në një përmasë, në të cilën korpi,
zemra e shpirti e venë në lëvizje gjithë qenien, duke pasur secila pjesë forcën e
vet kushtëzuese e koordinuese mbi tjetrën. Korpi, larg çdo idhujtarie, është shprehje
e pranisë konkrete të njeriut, elementi i parë i takimit me tjetrin. Zemra është qendra
e jetës, vend i ndjeshmërisë e i perceptimeve. Shpirti, në fund, është vendi i shqisave,
i ndjenjave, i aftësisë për të zgjedhur. E njeriu është shëndosh vetëm kur këto tri
përmasa veprojnë së bashku, në mënyrë të harmonishme. Në rrugën e rritjes shpirtërore
koncepti i njeriut zhvillohet duke u nisur nga fjalët e Librit të Zanafillës: “Zoti
e krijoi njeriun në përngjasim të vet, e krijoi në përgjasimin e Hyjit”( Dal. 1, 27).
E kjo ide, që na kujton se njeriu u krijua sipas shembëlltyrës së Hyjit, ka një sërë
pasojash tejet të rëndësishme. Ndikon, para së gjithash, në krijimin e antropologjisë
fetare, që i jep njeriut dinjitetin më të lartë, e njëkohësisht, kërkon prej tij përgjegjësinë
më të lartë për atë, që iu dhurua. Njeriu e ka për detyrë të sillet në një mënyrë
të tillë, që ta vërë sa më shumë në dukje ngjashmërinë e tij me Zotin. Çdo vepër njerëzore
duhet të jetë jo vetëm e dobishme (t’i shërbejë njeriut), por edhe e bukur (pasqyrë
e të Amshuarit). Dinjiteti e përgjegjësia sintetizojnë sukseshëm idenë antropologjike
shtainiane, njëherësh me përcaktimin e njeriut si i pambrojtur e mbrojtës. Për
Edit Shtain jeta duhet orientuar, duhet bërë shprehëse, duhet kuptuar përtej besimit
fetar të njeriut. Prej këndej, Bashkëpajtorja e Evropës i kushtoi vëmendje të posaçme
problemeve të formimit të njeriut, të zhvillimit të tij, të përmasës shpirtërore e
të jetesës shoqërore. Njeriu është përgjegjës për jetën e vet e të të tjerëve, në
sa ndodhet ndërmjet dy skajeve: nga njëra anë ringjallja, që në një farë mënyre vepron
tashmë në të (cfr Kol 3,1-4; Ef 2,6); nga ana tjeter, nxitimi për t’u radhitur
në procesin, që i çon të gjithë e gjithçka drejt përsosurisë, përshkruar nga Shën
Pali në Letrën drejtuar Romakëve, me një figurë të shkëlqyer, që Filozofja-Shenjtore
e citon për t’i dhënë përgjigje pyetjes “Kush është njeriu?”: “Ashtu si mbarë krijesa
rënkon e vuan deri më sot porsi në dhimbje të lindjes; edhe ne, që kemi farën e Shpirtit
(Shenjt), rënkojmë brenda vetes në pritje që të njihemi si bij në shpirt me anën e
shpërblimit e të ringjalljes së korpit tonë. (cfr Rom 8, 18-23). Njeriu
është i thirrur të vihet në shërbim të krijimit, e, prej këndej, të atyre që i ngjasin.
Prandaj, çdo njeri është njëkohësisht i pambrojtur e mbrojtës, në një realitet shoqëror,
në të cilin të gjithë duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë individuale, në gjirin
e bashkësisë ku jetojnë. Është fjala për përgjegjësi të të gjithëve për të gjithë,
pa përjashtuar asnjeri! “Kush është njeriu?” pyet Shenjtorja e edhe pëgjigjet:
“Njeriu nuk u krijua për të ndenjur duarkryq, nuk u flak në jetë, por u thirr të sillet
plot vëmendje ndaj jetës, ta ruajë jetën e të kujdeset për atë, që iu besua. “Kush
është njeriu?”. Në se Zoti e krijoi njeriun sipas shembëlltyrës së vet, çdo njeri
e ka për detyrë të bëhet vërtet i ngjashëm me Zotin!