2012-08-09 15:08:31

Imzot Çelata në Nagasaki, 67 vjet pas bombardimit atomik


“Lutja për viktimat e asaj ngjarjeje të tmerrshme, bëhet përgjërim drejtuar Zotit që të na dhurojë paqen”: me këto fjalë, imzot Pier Luigji Çelata, Sekretar nderi i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar iu drejtua të pranishmëve në Meshën e kremtuar në Nagasaki të Japonisë për viktimat e bombës atomike, hedhur më 9 gusht të 67 vjetëve më parë. Imzot Çelata nënvizoi se besimtarët e feve të ndryshme janë të thirrur të punojnë së bashku për paqen, duke ofruar kontributin e traditave të tyre shpirtërore. Në një vend si Japonia, besimtarët bashkohen rreth koncepteve të njëjta si “mëshirë”, “falje”, “dashuri”, të cilat pasqyrojnë bindjen e të gjithëve se njerëzit i përkasin së njëjtës familje botërore dhe kanë të njëjtin fat.
Japonia i përkujtoi viktimat e Nagasakit dhe ato të Hiroshimës, pas krizës bërthamore shkaktuar nga centrali i Fukushimës, që nuk i rezistoi tsunamit të 11 marsit 2011. Prandaj, qyteti, që nderoi viktimat e bombës atomike me një minut heshtje, i bëri thirrje qeverisë të përcaktojë objektiva të reja në politikën e vet energjitike, për të ndërtuar një shoqëri të lirë nga frika e radioaktivitetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.